Ja si u kap ortopedi Delija duke kërkuar ryshfet

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 20:49
Ja si u kap ortopedi Delija duke kërkuar ryshfet

Në fillim të muajit shtator edhe një mjek i QKUK-së po dyshohet se u zu në flagrancë me ryshfet. Mjeku, ortoped Sami Delija u denoncua në Policinë e Kosovës nga familjari i një pacienti të cilën ky e kishte operuar. Denoncuesi, i cili ka dashur të mbesë anonim, i ka treguar Insajderit se si ndodhi rasti. Se si falë denoncimit të tij, Sami Delija u arrestua nga policët në vendin e tij të punës, në QKUK. Ai hedh dyshimet për një bashkëpunim të mjekut me barnatoren, ku ai vet e kishte sugjeruar t’a blinte pajisjen. Pajisje që i kushtoi 950 euro, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

XH.P (emër i njohur për redaksinë), më të parë denoncimin nga gazetarja mbi të bëmat e mjekut Delija ndaj babait të saj, ka ardhë në redaksi të Insajderit dhe ka rrëfyer rastin në detaje. Se si vendosi ta njoftojë policinë për ta zënë me petkë për dore.

Ka treguar për dyshimet e tij, për kërkesën e mjekut. Për atë se si bleu pajisjen 950 euro për familjarin e tij  që se pa asnjëherë, dhe pastaj u kthye mbrapsht.

Ani pse vet mjeku Delija e kishte sugjeruar që pajisjen ta blente në barnatoren “Max Medical”, vetëm pastaj i tha se kanë gjetur një tjetër në spital, dhe se mund t’i marrë parat mbrapsht. Prej tyre, pra 950 eurove denoncuesi thotë se mjeku i kërkoi 450 euro.

“Unë kam shku në barnatore dhe e kam pagu pajisjen mirëpo pajisjen nuk e kam pa, vetëm më kanë thënë se ne e qojmë në spital në sallë edhe sterelizohet, bëhet gati për pacientin dhe nesër  i vendoset pacientit dhe faktikisht qajo pajisje nuk është shku në Spital dhe as nuk është vnu pajisje e qasaj shitore por u vnu pajisje e spitalit. Unë i kam dhënë paret, nuk kam marrë kurgjo”, ka thënë ai.

“Mjeku më ka kallxu qe nuk ia kam qit pajisjen e atyne por të Spitalit edhe më ka thënë shko merri paret atje, ti i merr 500 mu mi bjen 450, edhe i thashë, urdhno qysh, ti tha shkon i merr paret 950 euro atje se nuk ia kam qit pajisjen që ma kane pru ata. Pra, i lypke paret e mija”, ka thënë denoncuesi.

I pyetur se cili ka qenë arsyetimin i ortopedit Delija se përse nuk ia ka vendosur pajisjen që vet kishte kërkuar për familjarin e tij, ai u shpreh “Kinse nuk i ka rënë taman, tha edhe e gjeta një të spitalit shumë të mirë edhe qajo arsyeja ke”.

“Mendoj që mashtrimi fillon qaty, mjeku të shtinë me pagu diçka që ti nuk e merr asnjëherë, dhe nuk i vnohet fare pacientit. Unë mendoj që këtu fillon mashtrimi i mjekut dhe qasaj shitores ortopedike “Max Medical” te pacienti. Ata e bëjnë mashtrimin së bashku, tash a kanë përqindje apo qysh nuk e di, mirëpo mua më ka ndodhë qeshtu”, potencoi tutje.

Ai tha se kur pa që diçka nuk ishte në rregull, vendosi që të bashkëpunonte me policinë që të kishin prova, në mënyrë që mjeku që po kërkonte ryshfet të burgosej.

“Në këtë rast unë e kam lajmëru policinë edhe nuk kam shku me u taku me mjekun 2 ditë derisa policia kenë të gatshëm me kamera me sene për me kap në vepër mjekun edhe në momentin që jam taku me mjekun, më ka shti në zyre dhe kemi diskutu për pare, i kam thënë kam pas aksident kinse, a bën me ti dhënë 350 e 100 me ti dhënë më vonë, jo tha veç 300 mi jep mjafton, se demek tha unë jam burrë , sjom asi njeri që të marrë shumë pare, dhe pas 5-10 min ka ndodhë arrestimi i tij, paret iu kanë gjetë në xhep”, u shpreh ai.

Përveç mjekut, denoncuesi Xh.P ka hedhur dyshimet edhe ndaj pronarëve të barnatoren “Max Medical”, ku e bleu pajisjen.

 “Ata djemtë (barnatores) kur kam shku së pari, më kanë thënë e kemi një set të gamanellave, qajo pajisja që i vnohet pacientit, se ata më pritën më thanë direkt, a ti je për gamanellë, thashë unë nuk kam lyp, s’jam kanë asnjëherë tek ju, thanë jo ne e dimë që ka me ardhë dikush, gutu ma shpejt, iu thashë po dal po i marr paret se nuk i paskna 950 euro me vete. Mujsha me i bo paret, vi e marrë e pagujë”.

 Tutje ai sqaron se si vendosi që edhe brenda barnatores të incizoi.

 “Ju thashë, a bën me pa, tha jo se vijnë e marrin mjekët cila i bjen edhe tjerat na i kthen neve se është qashtu puna e mjekësisë. Kur shkova me i ble, se unë lypa nëpër shitoret ortepedike tjera, nuk ka kërkun , hyna në google me hulumtu ato dmth ishin pajsije që iu jepen vetëm spitaleve nuk mundet me i ble individi privat. Edhe kur shkova, më u duke që janë duke bë mashtrim, e shtina telefonin xhep edhe incizova. E ata mua më thanë gamanellën e ki gati, faturën e ki gati ti ki me pagu 950 euro, na e kemi të shkrume këtu që ka me shkru për doktor Samiut, edhe kjo shkon në sallë, sterilizohet, bëhet gati dhe i qitet pacientit. Faktikisht prej qasaj shitore nuk është shku kurgjo”.

Për këtë akuzë të tij, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe drejtorin e barnatores “Max Medical”, Labinot Fejza. Ai hodhi poshtë pretendimet e denoncuesit duke thënë se vetëm kryen shërbimin që iu takonte.

“Unë i kam kalu të gjitha procedurat, kam shku kam jap deklaratë edhe në Polici e kam sqaru këtë pjesë. Ai gamanellën e ka porosit, ka shku gamanella në Spital, nuk e kanë shfrytëzu është kthy pajisja në depon tonë dhe ia kemi kthy pagesën, edhe në Administratë Tatimor i kam dëshmu qeto veprime. Nuk kam diçka më tepër për të potencuar”, tha Fejza .

Ndërkohë, XH.P i tregoi Insajderit se përse ka vendosur t’a denoncojë mjekun se cili ishte qëllimi i tij.

“Unë përpos që e kisha stresin e pacientit, stresin për me gjetë pajisjen që i vendoset në kokë nuk mujta me falë, me kalu këtë sen që ma bënë. Nuk mujta me falë edhe për njerëzit e tjerë, sepse njerëzit kanë hallë, ai që ka para shkon në privat dhe nuk pyet për çmim, por ata që nuk kanë janë faktikisht ua marrin parat ekzistenciale ose duhet me hy në borxh për me pagu diçka që është spitalit dhe e shtetit. Për këtë arsye kam vendos me denoncu, dhe po du me i informu qytetarët që rrenat dhe dallaveret bëhen edhe mes mjekut e dyqanit, këtë rast barnatores ortopedike”.

Kur është pyetur nëse paraprakisht e dinte se me çfarë mjeku kishte të bënte ai tha se “E di që kur më kanë vet për mjekun, ju kam thënë është njëfarë Samia, edhe plotë njerëz më kanë thënë ai të lyp pare”.

Mjekut Sami Delija, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, dhe ky vendim i gjykatës s’është mirëpritur fare nga denocnuesi i rastit.

“Unë po mendoj që prokuroria ose gjykata e kanë neglizhu rastin se me gjithë ato prova e lëshuan, njerun në 48 orë dhe pastaj në arrest shtëpiak dhe jam i pakënaqur me vendimin e gjykatës, sepse ka pasur prova të mjaftueshëm për me nejt të paktën 30 ditë se është nxënë me petkë për dore”, deklaroi ai derisa shtoi.

Derisa ai po përgatiste planin për ta kapur ortopedin, Sami Delija me ryshfet, mjeku po ushtronte vazhdimisht presion/shantazh tek familjari i tij, thotë ai.

Dhe një ditë para lirmit të Delijat, denocnuesi thotë se vendosi ta largojë familjarin e tij nga spitali nga frika.

“Një ditë më herët, para lirimit të mjekut, unë e hek pacientin prej Spitalit se nuk u nishëm të sigurtë edhe është një gjë shumë me rëndësi, në ditën që e ka kry operacionin ka shku tek pacienti se ka kujtu që po më gjenë mua aty, unë nuk i kam dalë sepse e kam lajmëru polici edhe dojsha me nxan me petkë për dore, edhe paramendo i ka thënë pacientit e ki kamën  e ajne edhe në qehre nuk je kurrqysh, duhet me të shti në intervenim edhe njëherë për me mbrri unë me shku sa ma shpejt që unë me ia qu paret, dmth i ka bë shantazh pacientit, që unë me ardhë, a ai ka qenë mirë, ka qenë normal. Dhe, më thirrshin mua o hajde se po duhet me bo operacion edhe njëherë, dmth e ka tramatizu burrin plakë veç me i marrë paret”, ka thënë ai për Insajderin.

Pas arrestimit të Delijajt, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka paralajmëruar ndërmarrjen e masave lidhur me rastin.

“Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore. Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore”, thuhej në reagimin e ShSKUK-së.

Kujtojmë që ortopedi Delijaj, në vitin 2018 i ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate

Kjo është bërë e ditur nga një postim në Facebook, i shpërndarë nga partia me 5 tetor 2018, që tregonte se kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi dhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh kryetar i degës së NISMA Socialdemokrate në Prishtinë, Skender Reçica, kishin pritur në takim ortopedin Sami Delijaj.

(Kosova Sot Online)