Mungoni njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për krim të organizuar me narkotikë

  • S.A /
  • 20 September 2023 - 12:05
Mungoni njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për krim të organizuar me narkotikë

Në mungesë të të akuzuarit Fatmir Musliji, të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku i njëjti bashkë me Brahim Xhemajlin po akuzohen për krim të organizuar me narkotikë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Musliji, mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha tha se i njëjti kishte pësuar një incident në vendin e tij të punës, duke i dorëzuar gjykatës edhe një vërtetim mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në këtë seancë nuk ishin të pranishëm as dëshmitarët Fitnete Musliu, Ahmet Baftiu dhe Sahit Bislimoviq.

Lidhur me mungesën e dëshmitares Musliu, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari ka konstatuar se gjykata është njoftuar përmes stacionit policor në Lipjan se e njëjta gjendet jashtë shtetit.

Ndërkaq, lidhur me mungesën e dëshmitarit Baftiu, gjykatësi Bajraktari konstatoi se gjykata përmes stacionit policor është njoftuar se të njëjtit i është dorëzuar thirrja më 8 shtator 2023, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Tutje, sa i përket dëshmitarit Bislimoviq, gjykata deri më tani nuk ka pranuar ndonjë njoftim nga ana e stacionit policor Qendra në Prishtinës për zbatimin e kësaj urdhërese.

Më pas, avokati Berisha ka njoftuar gjykatën se pavarësisht që gjykata iu ka dhënë kohë për negocimin e marrëveshjes lidhur me pranimin e fajësisë me Prokurorinë, për shkak të rrethanave familjare personale që ka pasur nuk kanë mundur të bëjnë negocimin.

Po ashtu, i njëjti ka njoftuar gjykatën se i akuzuari Musliji nuk do të mund të jetë i pranishëm as për seancën e paraparë për 22 shtator 2023.

Në këto rrethana, seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktuan më 16 dhe 17 nëntor 2023.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe i pandehuri Z.G., mirëpo pasi që i njëjti ka ndërruar jetë, ndaj tij ka pushuar procedura penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, Fatmir Muslijin, Z.G. dhe Brahim Xhemajlin i kishte shpallur fajtorë për shpërndarje të narkotikëve, kurse Muslji ishte liruar nga akuzat për shpëlarje të parave.

Shkalla e parë, të akuzuarit Musliji i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vitesh si dhe dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh. I akuzuari Xhemajli, ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim dhe katër mijë euro gjobë. Kurse, Z.G ishte dënuar me tre vite e tre muaj burg dhe 500 euro gjobë.

Të akuzuarit Musliji, gjykata i kishte konfiskuar edhe 6.63 ari tokë, një shtëpi, një veturë, narkotikun e gjetur tek ai dhe disa telefona.

Mirëpo, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave si dhe shkresat e lëndës ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë sërish është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj kjo gjykatë e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, thuhet që në rigjykim kjo çështje penale t’i jepet një trupi tjetër gjykues pasi që është hera e dytë që anulohet kjo lëndë e trupit gjykues duke mos përfillur vërejtjet e Gjykatës së Apelit, e që për gjykatën e shkallës së parë janë obligative.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2016, tre të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë. Muslijin e kishte dënuar me 8 vite burgim dhe me gjobë në shumën prej 10 mijë eurosh. Ndërsa, ndaj Xhemajlit, gjykata kishte shqiptuar 4 vite e 6 muaj dënim me burg si dhe me gjobë në shumën prej 4 mijë eurosh. Kurse, të akuzuarin G., e kishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim si dhe me gjobë prej 2 mijë eurosh.

Mirëpo, pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin dhe çështjen ia kishte kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Sipas Apelit, i akuzuari Musliji ishte dënuar duke u bazuar vetëm në aktgjykimin e Gjykatës së Munchenit në Gjermani si dhe dëshmitë e dëshmitarëve, të cilët kishin deklaruar se narkotikun e kishin marrë nga Musliji. Një nga arsyet e Apelit, ishte se pa u dëgjuar këta dëshmitarë, nuk mund të ketë prova në procedurën penale që zhvillohet në Kosovë.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, tre të akuzuarit kishin vepruar si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, ku pa autorizim kanë shitur dhe transportuar substanca narkotike të llojit heroinë.

Sipas aktit të akuzës, i pandehuri Fatmir Musliji e kishte formuar dhe organizuar këtë grup kriminal të përbërë nga persona të ndryshëm në mes tyre edhe të pandehurit, Brahim Xhemajli dhe Z.G.

Sipas Prokurorisë, Musliji nga dhjetori 2008 e deri në shkurt 2009 ka organizuar transportimin dhe shitjen e mbi 40 kilogramë heroinë për në Gjermani nëpërmjet rrugëve tokësore të disa shteteve, ndërsa për pjesën me të vogël të heroinës e ka organizuar shitjen e paautorizuar në tregun kosovar.

Musliji dhe Xhemajli akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për krim të organizuar që ndërlidhet me veprën penale të blerjes, posedimit dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm. 

(Kosova Sot Online )