Dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva shtetërore, mungojnë deputetët e VV’së

  • S.A /
  • 10 October 2023 - 12:14
Dështon konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva shtetërore, mungojnë deputetët e VV’së

Ka dështuar sërish konstituimi i Komisionit Hetimor për rezerva, për shkak të mungesës të kuorumit. Kjo për shkak se nuk ishin të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton "Kosova Sot Online".

Opozita thotë se pushteti po fsheh diçka që nuk po vjen, dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë në praktikën parlamentare që pas votimit në Kuvend, Komisioni të mos konstituohet në mbledhje. Komisioni dështoi dy herë edhe të mërkurën e kaluar.

Ky Komision do të hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Iniciuesi i këtij komisioni, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, gjatë seancës së fundit ka thënë se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Në skandalin me furnizimin me rezerva shtetërore dyshohet se janë të përfshirë ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pronari i “Buke e Zemër”, Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të tjerë.

Në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore, policia pati arrestuar Ridvan Muharremin dhe dy zyrtarë të tjerë.

(Kosova Sot Online )