Hill: Vizita e delegacionit ‘robust’ flet për urgjencë për çështjen e dialogut

  • A.P /
  • 12 October 2023 - 21:18
Hill: Vizita e delegacionit ‘robust’ flet për urgjencë për çështjen e dialogut

Një delegacion i nivelit të lartë në përbërje të Emisarit Miroslav Lajçak, Gabriel Escobar dhe Këshilltarët e Kancelarit Sholc, Presidentit Macron dhe Kryeministres Meloni do të vizitojë Serbinë më 21 tetor kanë konfirmuar autoritetet atje, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Vizitën atje e ka përmendur sot edhe Ambasadori i SHBA’së në Beograd Chris Hill i cili ka thënë se vizita e delegacionit ‘robust’ ( fuqishëm) flet për urgjencë për çështjen e dialogut.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u ka thënë dje mediave se është duke pritur se çfarë ‘pako’ do të çojë atje ky delegacion. Në Kosovë s’ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar për vizitën e delegacionit të lartë. Në media megjithatë ka pasur shkrime se Lajçak, Escobar, dhe tre këshilltaret do t’i kërkojnë Serbisë të bashkëpunojë për hetimet rreth sulmit në Banjskë si dhe misioni i tyre ndërlidhet me ‘shpëtimin’ e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

 Kosova dhe Serbia të përfaqësuara nga Kurti dhe Vuçiq janë takuar së fundmi më 14 shtator në Bruksel duke mos u dakorduar rreth sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes.

Më 24 shtator Kosova u përball me një sulm terrorist për të cilin janë duke u kryer hetime. Mbetet të shihet nëse Perëndimi do t’i kthejë palët shpejt në dialog dhe t’i bindë ato që t’i zbatojnë marrëveshjet.

(Kosova Sot Online)