Vërtetohet nga Supremja dënimi i të akuzuarit Zoran Vukotiq për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

  • S.A /
  • 08 November 2023 - 12:29
Vërtetohet nga Supremja dënimi i të akuzuarit Zoran Vukotiq për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Zoran Vukotiq, i dënuar për krime lufte, transmeton "Kosova Sot Online".

Kolegji i Gjykatës Supreme i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të avokatit mbrojtës dhe të dënuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës .

Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi për media nga Gjykata Supreme.

“Në çështjen penale kundër të dënuarit Z.V., për shkak të veprës penale krime të luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), të kryer në bashkëkryerje me pjesëtarët tjerë të panjohur të njësitit të përmendur rezervist të policisë serbe dhe persona tjerë të armatosur dhe të uniformuar, duke vendosur sipas kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit dhe të dënuarit, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special PS.nr.28/2022 dhe kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special APS.nr.50/2022, në seancën e kolegjit të Gjykatës Supreme, të mbajtur me datë 27 shtator 2023, këto kërkesa janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Gjykata e Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2021 e kishte është dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin mirëpo lënda është kthyer në rigjykim pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar për ashpërsimin e dënimit dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.

Edhe në rigjykim, Vukotiq ishte dënuar me 10 vjet burgim, i akuzuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare të Vushtrrisë gjatë luftës.

Vukotiqi akuzohet se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.

Ai akuzohet se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar në atë mënyrë që më 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilatre serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari Vukotiq.

Vukotiq ishte arrestuar në Mal të Zi, prej nga ishte ekstraduar në Kosovë.

(Kosova Sot Online )