Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim ndaj Milaim Zekës dhe tjerëve, ai thotë se PSRK ua shkatërroi jetën

  • S.A /
  • 18 November 2023 - 08:22
Prokuroria kërkon nga Apeli rigjykim ndaj Milaim Zekës dhe tjerëve, ai thotë se PSRK ua shkatërroi jetën

Gjykata e Apelit të premten ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe përgjigjet e mbrojtjes në këtë ankesë, në gjykimin për mashtrim me viza ndaj ish-deputetit Milaim Zeka, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut. Në këtë seancë, Zeka tha se Prokuroria Speciale ua shkatërroi jetën, transmeton "Kosova Sot Online".

“Prokuroria Speciale na ka shkatërru jetën, po flas unë personalisht për veten time. Prokurori që na kanë çu deri në vetëvrasje, me mendu njeriu a me mbyt veten këtë vend a çka me ba”, tha Zeka.

Zeka deklaroi se kjo çështje ndaj tij, kishte qenë një lojë e pistë që ishte zhvilluar nga ana e Prokurorisë Speciale, me qëllime puro politike, për shkak se thotë që kur kishte ndodhur arrestimi i tij, kishte qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, më 26 prill 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit, Milazim Zeka, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut, për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”.

Në këtë seancë, Zeka tha se dy zyrtarët policorë kishin dëshmuar se ky (Zeka) ka qenë personi që e ka mbyll zyrën, e që sipas tij ia ka lëshuar me qira Ilir Krasniqit. Sipas Zekës, njëri hetues i kishte kërcënuar Krasniqin dhe Kërliun për ta përfshirë në këtë lëndë edhe Zekën.

“Prokurorit Atdhe Dema, në fjalën time përfundimtare i kam thënë a është e vërtetë që ti një ditë ke hyp me mu në ashensor vetëm ti e unë, a është e vërtetë që m’i ke kërku 120 mijë euro për ta tërheq landën, ka thënë nuk është e vërtetë, i thash si nuk qenka e vërtetë, tha jo është gënjeshtër, i thash me gënjeshtra më keni mbajt që 6 vite këtu”, tha Zeka.

Zeka shtoi se Kërliu është detyruar të largohet nga Kosova, e atij iu është shkatëruar biznesi.

“Domethënë unë arrita me bo 1 dëshmitar fallc të paqenë kundër prokurorit, ndërsa PSRK nuk ka arritë asnjë fjalë, asnjë dëshmi ta bëjë kundër meje dhe kanë goditur një njeri që ka ndërtu M-Sillosin e ….që ka pas 1500 puntorë, këtu çka ka bë PSRK , Edmond Kërliun e kanë detyru m’u largu nga Kosova, mu ma kanë shkatërru biznesin e gazetarisë, jetën time, familjen time”, tha ai.

Ai tha se përfaqësuesit të ATK-së në gjykatë i kishte thënë që nëse gjen faturë të nënshkruar nga ai ose xhirollogari, ose një dëshmitar që ka marrë para, do t’i mbajë 20 vjet burg.

“Mosekzistimi i drejtësisë i bën njerëzit ose me marrë ligjin vetë në dorë ose me ikë prej këtij vendi”, tha Zeka.

Sipas gjykatësit referues Vaton Durguti, Prokuroria Speciale ka ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ndaj aktgjykimit të Themelores. Ndërkaq, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës, ka propozuar që ankesa e PSRK-së të aprovohet si e bazuar dhe lënda të kthehet në shkallën e parë në rigjykim.

Ndërkaq, në këtë seancë të dëmtuarit të cilët ishin të pranishëm Agron Bytyqi, Leotrim Leka, Bekim Mikullovci, Kadri Mustafa, Besnik Krasniqi dhe Xheladin Bajrami, deklaruan se qëndrojnë prapa asaj çka kanë deklaruar më parë në gjykatën e shkallës parë.

Në anën tjetër, përgjigje në ankesë kanë parashtruar mbrojtësit e të akuzuarve Zeka, Krasniqi dhe Kërliu, avokatët Florent Latifaj, Qëndrim Arifaj dhe Kujtim Kërveshi. Përmes përgjigjes në këtë ankesë, mbrojtja ka propozuar që ankesa e PSRK-së të hudhet si e pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë.

Avokati Latifaj, ndër të tjera tha se gjykata nuk mund të gjejë në shkresa të lëndës një dëshmi, një provë të vetme që Zeka i kishte ofruar dikujt vizë, punë, apo që kishte nënshkruar diku.

Kurse, avokati Arifaj ka thënë se aktgjykimi i shkallës parë ishte i bazuar në prova të cilat kanë vërtetuar faktet në lidhje me çështjen penale që është zhvilluar.

Ndërkaq, avokati Kërveshi tha se Prokuroria Speciale në mënyrë “paushall”, ka dorëzuar ankesën në këtë gjykatë me qëllim që të kryejë një obligim formal që për lëndët në çdo aktgjykim lirues, sipas tij “sipas traditës”, Prokuroria parashtron ankesë.

Kërveshi tha se i mbrojturi i tij më nuk ka asnjë investim në Kosovë, duke shtuar se bankat në Kosovë ia kishin mbyllur dyert të mbrojturit të tij dhe kjo për shkak të Prokurorisë Speciale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, kanë kryer disa vepra penale.

Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi. Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Krasniqi, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro, duke i ndarë proporcionalisht mes vete. Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.

Me këtë, Krasniqi dhe Zeka ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me ç’rast akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohej po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta. Me ç’rast, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu akuzoheshin edhe për veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Kurse, i pandehuri Zekaj akuzohej se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

(Kosova Sot Online )