Policia parandalon kontrabandën me mallra, konfiskon tekstil në vlerë 7 mijë euro në Gjilan

  • E.K /
  • 14 December 2023 - 11:12
Policia parandalon kontrabandën me mallra, konfiskon tekstil në vlerë 7 mijë euro në Gjilan

Policia në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka zhvilluar një operacion, ku në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka parandaluar një rast kontrabandimit me mallra, përcjell “Kosova Sot Online”.

Një mjet i cili po vinte nga shteti fqinj, dyshohet se përmes rrugëve malore kishte për qëllim kontrabandën e tekstilit në Kosovë.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, parandalojnë edhe një rast të kontrabandimit me mallra
Policia e Kosovës, si rezultat i zhvillimit të aktiviteteve operative dhe hetimore në terren, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka parandaluar edhe një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar në mes të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Kosovës.

Me datën 13.12.2023 njësitë Task Forcë – Lindje, së bashku me njësitë nga Dogana e Kosovës, kanë identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore, i cili dyshohet se përmes rrugëve malore nga RMV ishte duke sjellë mallra të kontrabanduara në drejtim të Gjilanit. Automjeti i dyshuar është përcjellë nga njësitë e lartcekura deri tek automjeti i dytë i përfshirë në rast, i cili po priste ta pranonte mallin e lartcekur.

Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithësej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7000 euro (shtatë mijë euro).

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me vendim të së cilës malli së bashku me automjetin dërgohen në terminalin doganor ‘Dheu i Bardhë’, ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt.

(Kosova Sot Online)