Osmani propozon ligj të ri që lehtëson marrjen e shtetësisë për qytetarët e Luginës

  • S.A /
  • 15 December 2023 - 12:21
Osmani propozon ligj të ri që lehtëson marrjen e shtetësisë për qytetarët e Luginës

Kam ngritur kudo në takime ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminim mbi baza etnike në Serbi”, deklaroi kështu, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë adresimit vjetor para deputetëve në Kuvend, transmeton "Kosova Sot Online".

“Kam vazhduar të ngrisë kudo në takime ndërkombëtare çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen çdo ditë me diskriminim mbi baza etnike në Serbi. Kam kërkuar reagimin e Bashkësisë Ndërkombëtare, kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim të ndryshimit të demokracisë. Shumë nga qytetarët e këtyre komunave, tani janë pa shtetësi, e pa mundësi për t’i realizuar të drejtat e tyre elementare. Ka qenë e pafalshme që për vite të tëra procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës. Për shqiptarët e këtyre komunave, procedurat kanë qenë të njëjta me ato për qytetarët që vijnë nga kontinentet e largëta”, tha Osmani.

Në kuadër të kësaj, Osmani njoftoi se tashmë ka propozuar një ligj të ri për shtetësi, i cili parasheh lehtësira në procedura për marrjen e shtetësisë, për të gjithë qytetarët nga Lugina.

Në këtë adresim vjetor, Osmani u shpreh mirënjohëse edhe ndaj shteteve mike dhe aleate të Kosovës, derisa tha që bashkëpunimi me ta, duhet të vazhdoj tutje.

“Në emër të qytetarëve të Kosovës, shpreh mirënjohje të thellë ndaj shteteve mike dhe aleatëve, pa të cilat nuk do të ishim këtu ku jemI. Edhe sot, kur sfidat që Kosova i ka përpara, e që nuk po zvogëlohen, Kosova duhet t’i vlerësoj e fuqizoj më shumë se çdo herë tjetër aleancat e saj. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi me ata që na qëndruan pranë në momentet më të rënda të historisë sonë, nuk është as nënshtrim, e as dobësi. Në fakt, është veprim në shërbim të shtetit. Rruga jo në përpara është e gjatë, e aspak e lehtë”, potencoi tutje Osmani.

(Kosova Sot Online )