Detaje nga vrasja në burgun e Peqinit

  • A.P /
  • 17 December 2023 - 18:00
Detaje nga vrasja në burgun e Peqinit

Detaje të reja janë zbardhur sa  i përket ngjarjes së regjistruar në ambientet e burgut të Peqinit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Burime bëjnë me dije se Sokol Mjacajt i është sekuestruar një aparat celular rreth 3 muaj më parë nga kontrollet e ushtruara në burgun e Peqinit.

I njëjti aparat celular pritet t’i nënshtrohet një ekspertize të plotë për të gjurmuar telefonatat e tij me persona me rekorde kriminale jashtë qelive të burgut. Sipas burimeve hetuesit shpresojnë se aty mund të gjejnë materiale dhe biseda, të cilat do të japin drejtim në hetime.

Në përpjekje për të zbuluar më shumë janë kryer 2 kontrolle banesash në Dukagjin, e vetë Sokol Mjacajt dhe vëllait të tij. Hetuesit kanë marrë në pyetje edhe 12 personat e tjerë të arrestuar për shpërdorim detyre, mes tyre drejtori i burgut Kamber Hoxha dhe funksionarët e tjerë. Ata kanë shpjeguar vetëm për rolin e pozicionit të tyre në punë, pa dhënë më tej shpjegime.

Pasi Sokol Mjacaj kreu vrasjen dhe nisi të kërcënojë të tjerët se do i vriste, moment kur edhe ka kërkuar drejtorin e burgut për të negociuar, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se një pjesë e të burgosurve kanë tentuar ta neutralizojnë. Pas dorëzimit përmes negociatave për sigurimin e jetës ka rezultuar se në pistoletën e tij nuk kishte më plumba dhe rrjedhimisht presioni dhe kërcënimet kanë qenë me pistoletë bosh.

(Kosova Sot Online)