Zbulohet plani i Izraelit ndaj palestinezëve

  • A.P /
  • 05 January 2024 - 22:46
Zbulohet plani i Izraelit ndaj palestinezëve

Izraeli e ka bërë të qartë që do ta mbyllë ofensivën ushtarake në Gaza, duke vendosur nën kontroll kufirin e enklavës me Egjiptin, pasi të ketë eliminuar me rrënjë Hamasin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por në Këshillin e Kabinetit të kryeministrit Benjamin Netanjahu sipas medias italiane Corriere della Serra është diskutuar një plan për dërgimin e palestinezëve të zhvendosur gjatë konfliktit, nga Gaza në Kongo.

Edhe pse qeveria e Netanjahut mohon zyrtarisht se dëshiron të dëbojë banorët e Gazës, ata e kanë pranuar nën rreshta këtë kur thanë se "problemi është të gjejmë se kush është i gatshëm t'i pranojë palestinezët”.

Plani që përfshin shtetin afrikan në fakt buron nga një vizitë e presidentit kongolez Felix Tshisekedi tre vjet më parë në Tel Aviv, ku shprehu admirimin e tij për Netanjahun dhe vendosi të rinovojë marrëdhëniet me Izraelin.

“Ju izraelitë jeni një burim frymëzimi për mua! Sepse ju keni Zotin në anën tuaj!”, tha ai.

Rihapja e një ambasade, nënshkrimi i marrëveshjeve dhe mbi të gjitha - "si i krishterë" - bërja e komplimenteve të ekzagjeruara për Netanjahun, karakterizuan vizitën e Tshisekedi. "Ti je një burim frymëzimi, ti më mëson se çfarë mund të bëjë një popull kur ka favorin hyjnor me vete", i tha ai kryeministrit izraelit.

Dhe Netanjahu duket se nuk e ka harruar kurrë atë takim. Në momentin më të keq, ai sipas Times of Israel ka telefonuar mikun e tij të ri duke i kërkuar që të jetë Republika Demokratike e Kongos vendi që do të mirëpresë dhjetëra mijëra palestinezë të dëbuar nga Gaza.

Netanjahu kërkon kontrollin e kufirit me Egjiptin, OKB: 40% e popullsisë në Gaza nuk ka ushqim

Lufta në Izrael, Macron i vë Netanyahut detyrimin për të mbrojtur civilët në Gaza

OKB kritikon ashpër Izraelin, mbi 21.300 palestinezë të vrarë në Gaza

Tshisekedi sipas raportimeve ka thënë po për planin e quajtur "Day After". Dhe mbrëmë, e shtyrë me një ditë për shkak se urgjenca e Libanit dominoi rendin e ditës, plani u diskutua në Këshillin e Kabinetit të thirrur nga Netanjahu.

Për idenë e vjetër të qeverisë izraelite, e cila në tetor propozoi që Egjipti t'i vendoste "përkohësisht" banorët e Gazës në shkretëtirën e Sinait dhe Al Sisi iu përgjigj duke thënë se pse nuk i mbajnë ata në shkretëtirën e tyre Negevit, duket se në plan nuk është vetëm Kongo por edhe Arabia Saudite.

Hipoteza mohohet zyrtarisht. Netanjahu pranon se problemi është te të gjeturit e një vendi pritës, e megjithatë flet vetëm për "dorëzim" të liderëve të Hamasit që nuk janë eliminuar ende, ndoshta në Katar.

Ndërkohë, dy nga ministrat “e thekur” të tij kanë zemëruar Francën dhe SHBA-në , duke propozuar zhvendosjen e palestinezëve dhe një kolonizim të ri izraelit në Rrip, duke e cilësuar një zgjidhje humanitare.

Sipas ministrave Smotrich dhe Ben Gvir, "70% e izraelitëve janë në favor të emigrimit vullnetar të banorëve të Gazës, sepse nuk është më e pranueshme që dy milionë njerëz të zgjohen çdo mëngjes pesë minuta nga shtëpia jonë duke ëndërruar të na shkatërrojnë".

Ata po ashtu pretendojnë se diskutimi i pasluftës do të ishte shumë ndryshe nëse vetëm 100-200 mijë palestinezë mbetën në Rrip, por jo dy milionë. Por, emigrimi i detyruar i palestinezëve duket i paimagjinueshëm dhe “Day After” mbetet një skenar i imagjinatës së Netanjahut, në këtë fazë, pavarësisht se ai dhe njerëzit e tij po e diskutojnë.

Në fillim të dhjetorit, egjiptianët, jordanezët, emiratet dhe sauditët u informuan për synimin për të krijuar një zonë tampon që do të izolonte Gazën nga Veriu në Jug. Pas kësaj, vendet e moderuara arabe do të përfshiheshin vetëm në menaxhimin humanitar dhe çarmatimin palestinez, me mundësinë që banorët e Gazës veriore të kthehen atje ku ishin dhe me një status të veçantë të tokës së askujt, që i është dhënë Rrugës Filadelfi (zona e tunelit) dhe kalimit Rafah (në drejtim të Egjiptit).

Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion për një ridizajnim administrativ të Rripit, me poste guvernatorësh që do t’u besohen udhëheqësve dhe klaneve të besueshme palestineze. Salam Fayyad, një ekonomist i Princetonit, i cili ishte kryeministër palestinez në Bregun Perëndimor nga 2005 deri në 2013, tashmë është zgjedhur si guvernatori i ardhshëm, dhe kjo zgjedhje vjen pasi ai ka mendime të moderuara dhe marrëdhënie të mira me izraelitët.

Fondet do të vijnë, mendon Netanyahu. Dhe ne kemi nevojë për dikë që t'i menaxhojë ato. Sondazhi i fundit thotë se ndoshta nuk do të jetë ai, pasi vetëm 15% e izraelitëve do të dëshironin që ai të kthehej në vendin e tij pasi të përfundojë lufta.

Por rindërtimi i Gazës pas vitit 2014, kur lufta ishte shumë më e shkurtër dhe shumë më pak e ashpër, i kushtoi komunitetit ndërkombëtar mbi gjashtë miliardë dollarë.

“Këtë herë jemi në vitin zero, fotokopja e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ne kemi nevojë për një plan Marshall, si atëherë . Sauditët dhe Katarianët janë gati të financojnë një rindërtim. Por pa garanci politike për dy popuj dhe dy shtete, kush do të investonte para në një tokë që tre muaj më vonë mund të shkatërrohej përsëri?. Tani për tani, gjithçka që mbetet është Kongo", thotë Mikhaimar Abu Sada, sociolog në Universitetin Al Azhar në qytetin e Gazës.


(Kosova Sot Online)