I konfirmohet dënimi me 25 vite burg Dritan Rexhepit

  • A.P /
  • 07 January 2024 - 16:16
I konfirmohet dënimi me 25 vite burg Dritan Rexhepit

Gati një muaj pasi u vu në pranga në Stamboll, Turqi, Dritan Rexhepi, i lakuari i ‘mbreti shqiptar i kokainës’, ka humbur një betejë gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këtë gjykatë Rexhepi kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të 27 nëntor 2020, që kishte lënë në fuqi dënimin me 25 vite burg dhënë ndaj tij nga Gjykata për Krimet e Rënda për akuzën e ‘vrasjes me paramendim’.

Sipas Rexhepit në Gjykatën e Lartë i ishte cënuar e drejta e procesit të rregullt ligjor. Referuar vendimit të zbardhur të Kushtetueses, të siguruar nga A2, shkeljet e pretenduara nga Rexhepaj nuk janë marrë në shqyrtim, pasi ankimi i tij kushtetues individual ishte depozituar përtej afatit kohor 4 mujor të parashikuar në ligj.

Argumentet e Rexhepajt se në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë kishte qenë duke vuajtur një dënim me burg në Ekuador, apo edhe vonesat postare për prokurën e lëshuar në Ekuador për avokatë e rinj në Shqipëri, nuk bindën Mbledhjen e Gjyqtarëve të Kushtetueses, që njëzëri vendosën mos-kalim të çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Kjo është hera e dytë që Rexhepi troket në Kushtetuese kundër dënimit të tij me 25 vite burg. Përmes saj në vitin 2018 ai mundi ta kthejë për rigjykim çështjen në Gjykatën e Lartë.

(Kosova Sot Online)