Rama jep detaje për këmbimin e pronave në Badoc: Ministritë morën vendime

  • A.P /
  • 08 February 2024 - 15:32
Rama jep detaje për këmbimin e pronave në Badoc: Ministritë morën vendime

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për anulim të vendimit të datës 21 dhjetor 2023 për këmbim të pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me prona në lagjen “Prishtina e Re”, po merr pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rama ka theksuar se ky vendim ka rrjedhur nga një proces që ka filluar nga qeverisja e kaluar dhe jo nga Përparim Rama.

Ai potencon se ky proces ka rrjedhur nga një numër i vendimeve të nivelit qendror, Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal.

“Nga momenti që qeverisja jonë e ka vazhduar këtë proces, janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara ligjore. Për këtë çështje janë dërguar pikat e rendit të ditës me kohë.. Nuk ka reaguar askush, është diskutuar në KPF, nuk ka reaguar askush, është miratuar në këtë kuvend, nuk ka reaguar askush. Kanë kaluar disa javë, asnjë fjalë nuk e ka thënë as VV, as PDK, askush. Pas një shkrimi të pavërtetë dhe tendencioz, ju e politizuat dhe e personalizuat këtë çështje. Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë në Ministri të Pushtetit Lokal që e kanë miratuar ligjshmërinë, të njëjtit e tërheqin atë. Pa asnjë argument shtesë, pa asnjë fakt shtesë, nuk janë një apo dy zyrtarë, janë 5 zyrtarë që e kanë nënshkruar ligjshmërinë e këtij vendimi, përfshirë këtu edhe ministrin e MAPL”.

“Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat po suspendojmë vlerësimin e pronave, do të thotë as fakte nga prokuroria, policia as ndonjë dëshmi tjetër nga komuna por thotë pas raportimeve nga mediat. Do të thotë një proces që Ministria është e obliguar ta zbatojë.. thotë po e suspendojnë në bazë të spekulimeve nga mediat”, u shpreh ai.

I pari i kryeqytetit i ka përsëritur edhe njëherë ato që ai i quan të pavërteta, e të cilat janë thënë lidhur me këtë proces.

“Është raportuar se kryeqyteti i ka dhënë 20 hektarë për 8 hektarë, nuk është e vërtetë. Vendimi i Asamblesë së kryeqytetit e thotë qartë se prona 8 hektarëshe këmbehet me pjesë të parcelës 20 hektarëshe, jo me krejt parcelën. Sa tokë do të këmbehet.. nuk e përcakton kryeqyteti as Përparim Rama, por Ministria e Financave. Është thënë se Përparim Rama e ka nisur këtë proces, prapë e pavërtetë… Janë ngritur pyetje se çfarë interesi ka kryeqyteti me marrë një tokë te liqeni, cili është interesi publik i kryeqytetit? Përparim Rama nuk ka deklaruar atë tokë me interes publik, por Ministria e Mjedisit me një vendim të vitit 2020, i cili përcakton tokat rreth liqenit të mbrojtura dhe obligon organet komunale të bëjë këmbimin…”.

“Keni kërkuar hetim nga Prokuroria, unë kam thënë po… kam kërkuar publikisht këtë zgjerim të hetimeve. E ftoj Prokurorinë speciale t’i zgjerojë hetimet edhe në MAPL, edhe në Ministri të Financave dhe t’i shkojë në fund deri në fund të këtij procesi”, tha Rama.

Si qeverisje, Rama thotë se kanë vepruar në çdo moment të këtij procesi në përputhje me ligjin dhe manualin e Ministrisë së pushtetit lokal për këmbim të pronave.

“Vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent dhe secilin vendim që do ta merrni, mund të ketë pasoja për të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, jam i obliguar t’i zbatoj vendimet e këtij kuvendi, mirëpo përgjegjësia dhe pasojat janë tuajat”, tha ai.


(Kosova Sot Online)