Edi Rama e quan të pakuptimtë seancën ku u përballën Kurti dhe Vuçiq

  • E.K /
  • 09 February 2024 - 10:12
Edi Rama e quan të pakuptimtë seancën ku u përballën Kurti dhe Vuçiq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si “seancë të pakuptimtë”, mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, duke thënë se ai nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën, përcjell “Kosova Sot Online”.

Rama ka shkruar se Kosova dhe Serbia duhet të përqëndërohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE’së.

“Ishte një seancë e pakuptimtë. Këshilli i Sigurimit të OKB’së qartazi nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet të përqëndërohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE’së dhe të fokusohen në arritjen e një marrëvshje për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera nga të cilat përfitojnë qytetarët e zakonshëm në përditshmëri, duke siguruar një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Rama në rrjetin social “X”.

Rama ka thënë se Shqipëria do t’i qëndrojë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, derisa i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet me aleatët.

“Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shkruar tutje Rama.

(Kosova Sot Online