Putin shpreson tek zbehja e ndihmës perëndimore për Kievin

  • A.P /
  • 20 February 2024 - 17:45
Putin shpreson tek zbehja e ndihmës perëndimore për Kievin

Në fillim të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022, disa analistë parashikuan rënien e Kievit në duart e forcave ruse brenda tre ditësh. Por kjo nuk ndodhi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndërsa lufta hyn në vitin e tretë, Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet që dështimin fillestar të ushtrisë ruse ta shndërrojë në një avantazh, duke shpresuar tek zbehja e ndihmës së Perëndimit për Ukrainën, ndërsa Moska vazhdon trysninë ushtarake në vijat e frontit. Kjo qasje afatgjate e zotit Putin po ndikon negativisht edhe brenda Rusisë, sepse konflikti po dëmton rëndë Rusinë, duke shteruar burimet e saj ekonomike, ushtarake dhe duke nxitur tensionet sociale. Megjithatë, vdekja e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny shërben si një kujtesë rrëqethëse e goditjes së pamëshirshme të Kremlinit ndaj kundërshtarëve të tij politikë.

Presidenti Putin ka sinjalizuar vazhdimisht se ka dëshirë për të negociuar përfundimin e luftës, por ka paralajmëruar se Rusia nuk do të heqë dorë nga territoret e pushtuara. Në fillim të këtij muaji, ai përdori një intervistë me ish-gazetarin e kanalit Fox News, Tucker Carlson, për t’i nxitur Shtetet e Bashkuara të bindin Ukrainën të hyjë në bisedime paqeje, duke theksuar se “herët a vonë, ne do të arrijmë një marrëveshje”.

Disa zhvillime të fundit kanë shtuar optimizmin e Kremlinit.

Një projektligj mbi ndihmat për Ukrainën vazhdon të jetë i bllokuar në Kongresin amerikan, ndërsa aleatët e NATO-s janë përpjekur të plotësojnë mungesat e ndihmës amerikane pas fillimit të kundërofensivës së Ukrainës verën e kaluar. Vendimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të shkarkuar shefin e tij të ushtrisë, gjeneralin Valerii Zaluzhnyi, zhgënjeu shumë njerëz në vend dhe shkaktoi shqetësim në mesin e aleatëve perëndimorë.

Ndërkohë, ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili në mënyrë të përsëritur ka thënë se do të negociojë një marrëveshje të shpejtë për t’i dhënë fund luftës nëse ai zgjidhej për një mandat tjetër, së fundmi tronditi NATO-n duke thënë se ai mund të lejonte Rusinë të zgjeronte agresionin e saj në Evropë, nëse vendet anëtare të aleancës nuk do t’i rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Tatiana Stanovaya nga Qendra Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë tha se një rikthim i mundshëm i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë do t’i shërbente qëllimeve të Putinit.

“Ai e sheh zotin Trump si një udhëheqës që ka të ngjarë të shkaktojë shkatërrim dhe beson se pasojat e një presidence të dytë të zotit Trump do të dobësonin Perëndimin dhe mbështetjen që i nevojitet Ukrainës”, thotë analistja Stanovaya.

(Kosova Sot Online)