Kush do ta përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë në Samitin e Tiranës?

  • A.P /
  • 26 February 2024 - 20:20
Kush do ta përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë në Samitin e Tiranës?

Më datë 28 shkurt për herë të parë në Shqipëri do të mbërrijë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai do të marrë pjesë në samitin që do të organizohet në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore.

Dita e parë e samitit do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit dhe do t’i dedikohet tërësisht Ukrainës dhe situatës së shkaktuar atje nga agresioni rus i nisur që më 24 shkurt 2022.

Kreu i shtetit të Ukrainës pritet që të mbërrijë në vendin tonë mbrëmjen e së martës për të marrë pjesë në këtë samit, ku do të jenë të pranishëm edhe liderët e vendeve të Europës Juglindore.

Gjithçka pritet të zhvillohet në pallatin e kongreseve, vend ku fillimisht do të bëhet pritja e të gjithë liderëve nga kryeministri Rama dhe më pas do të jetë radha e sesioneve që do të zhvillohen të mbyllura, ku në fund të ditës pritet që të ketë një konferencë për mediat.

Përfaqësuese e Kosovës do të jetë presidentja, Vjosa Osmani, e cila konfirmoi për Euronews Albania praninë e saj në Tiranë në dy ditët e samitit.

Ndërkohë nga Serbia i pranishëm do të jetë presidenti Aleksandër Vuçiq. Po ashtu i pranishëm në samitit për Ukrainën do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan përmes një video-mesazhi.

Sakaq, dita e dytë e samitit më 29 do të ketë në fokus rajonin mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës ku prezent do të jenë të 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe zyrtarët nga Brukseli.

Në këtë takim do të jetë prezentë presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

(Kosova Sot Online)