Përplasje për Epopenë, Çeku: Komuna e Skënderajt s’iu përgjigj kërkesave tona

  • E.K /
  • 07 March 2024 - 12:50
Përplasje për Epopenë, Çeku: Komuna e Skënderajt s’iu përgjigj kërkesave tona

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në cilësinë e kryesuesit të komisionit shtetëror për shënimin e përvjetorëve, tha se doli në foltoren e Kuvendit për t’i dhënë disa sqarime lidhur me aktivitetet për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ai tha se komuna e Skënderajt ka refuzuar të bashkëpunojë me Ministrinë e Kulturës për organizimin e aktiviteteve dhe shtoi se i janë drejtuar disa herë zyrtarëve komunalë për këtë çështje.

“Si ministri e kemi kontaktuar Komunën e Skenderajt dhe kemi ofruar gjithë gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar rreth aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kërkesa, email-e, thirrje e mesazhe të panumërta për një kohë të gjatë drejtuar zyrtarëve të Komunës së Skenderajt, por për fat të keq, kërkesat dhe thirrjet tona kanë mbetur pa përgjigje”.

“Nuk ka asnjë lloj përjashtimi, nuk ka asnjë vullneti për ta larguar dikë, përkundrazi ne kemi pasë nevojë për ndihmën e komunës për t’i realizuar sa më mirë këto aktivitete, por ato do të bëhen edhe pa përfshirjen e komunës së Skënderajt. Është për të ardhur keq që në një moment kaq të rëndësishëm për kombin tonë, sikurse Epopeja e UÇK-së, të keqpërdoret për qëllime të sulmeve politike”, tha ai.

(Kosova Sot Online)