Ja me sa muaj burg u dënua pronari në rastin e djegies së autobusit të 'Besa Trans' ku kishin vdekur 45 udhëtarë

  • A.P /
  • 07 March 2024 - 18:03
Ja me sa muaj burg u dënua pronari në rastin e djegies së autobusit të 'Besa Trans' ku kishin vdekur 45 udhëtarë

Një vit e tetë muaj burg për pronarin e “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, si dhe gjobë në të holla në vlerë prej 800 mijë denarëve, por edhe ndalesë katërvjeçare për kryerjen e transportit ndërkombëtar, është epilogu nga gjykimi për aksidentin tragjik në Bullgari, që u gjykua në bazë të veprës penale “falsifikim i dokumenteve”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykatësi Ivica Stefanovski, i cili e shpalli aktvendimin në Gjykatën Penale, tha se të akuzuarit Bekim Haxhiu dhe kompania “Besa Trans”, janë fajtorë për shkak se i akuzuari, si menaxher i kompanisë “Besa Trans”, disa herë ka shfrytëzuar dokument të rrejshëm, certifikatë nga licenca për kryerje të transportit publik në destinacione ndërkombëtare, e e cila fare nuk ishte dhënë nga Ministria për Transport dhe Lidhje për atë autobus.

Mirëpo avokati, Asmir Alispahiq, mohon të ekzistojë një dokument i tillë i falsifikuar.

“Elementi thelbësor për këtë vepër penale është ekzistimi i një dokumenti të falsifikuar dhe e përdorur si e tillë. Në rastin konkret, as që është përpunuar, as që është përdorur e as që ekziston. Kështu që, unë jam i bindur, edhe si jurist por edhe si avokat i Bekim Haxhiu, është se ky aktvendim nuk mund të mbijetojë ashtu siç është shqiptuar në rastin konkret”, tha Asmir Alispahiq – avokat i të akuzuarve.

Për këtë shkak, sipas Alispahiq, dënimi është shumë i lartë.

“Nëse bëjmë një krahasim në pjesën e vendimeve dhe aktvendimeve tjera gjyqësore të këtij lloji, edhe pse dënimi është i paraparë nga 1 deri në 5 vite burg, konsideroj se në rastin konkret, dënimi është llogaritur tepër i lartë”,  tha Alispahiq.

E prokurori Vlladimir Milloshevski nuk tregoi nëse është i kënaqur me dënimin por përmendi se gjykata në tërësi ka pranuar akuzat e dorëzuara nga Prokuroria. E konfirmon që kompania nuk ka poseduar fare licencë për autobusin që u dogj.

“Pikërisht ashtu, Prokuroria në akuzë atë e thotë. Se Ministria për Transport dhe Lidhje fare nuk ka dhënë certifikatë nga licenca për autobusin konkret. As nuk është dorëzuar kërkesë, e as që është dhënë. Kjo do të thotë se autobusi, siç është shkruar në akuzë, siç kumtoi edhe gjykata sot në shqiptimin e aktvendimit, se ka treguar para organeve kompetente certifikatë nga licenca, e një të tillë për atë autobus fare nuk është dhënë nga organi kompetent”, tha  Vlladimir Milloshevski – prokuror.

Përndryshe, nga aksidenti dhe djegia e autobusit të Besa Trans në Bullgari, gjithsej jetën e humbën 45 persona, mes të cilëve 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan me lëndime. 

(Kosova Sot Online)