'NATO hyn në luftë kundër Serbisë, manovrat e fundit diplomatike nuk e kanë bindur Millosheviqin'

  • A.P /
  • 24 March 2024 - 18:00
'NATO hyn në luftë kundër Serbisë, manovrat e fundit diplomatike nuk e kanë bindur Millosheviqin'

“NATO hyn në luftë kundër Serbisë. Manovrat e fundit diplomatike nuk e kanë bindur Millosheviqin ta pranojë planin perëndimor për Kosovën”. Ky është titulli i gazetës franceze, Liberation më 24 mars 1999, ditën kur aleanca perëndimore ushtarake, NATO nisi bombardimet ndaj Beogradit për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Jam informuar nga Komandanti Suprem i Aleatëve në Europë, Gjenerali Amerikan Wesley Clark, se operacionet ajrore të NATO-s kundër objektivave në Jugosllavi kanë filluar”, shprehej Sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i NATO-s në Bruksel, Javier Solana, duke theksuar se “përgjegjësia kryesore për sulmet ajrore i përkasin presidentit Millosheviq, i cili refuzoi t’i japë fund veprimeve të dhunshme në Kosovë dhe të negociojë me mirëbesim”. Më vonë në mbrëmje, zëvendëskryeministri i atëhersëm britanik John Prescott sqaronte se NATO “ka goditur fort dhe do të vazhdojë të godasë fort derisa të arrijë objektivat e saj ushtarake”.

Sipas Pentagonit, të shtënat e para janë kryer me raketa të lëshuara nga anijet që lundronin në Adriatik dhe nga gjashtë bombardues B-52H, të cilët ishin larguar nga baza e tyre në Britaninë e Madhe rreth orës 13:00. Këto sulme kishin në shënjestër kryesisht objektiva ushtarake, të lidhura me mbrojtjen kundërajrore serbe. Në të njëjtën kohë, më shumë se 79 avionë të NATO-s u ngritën nga bazat italiane, veçanërisht ato të Aviano, Istrana, Amendola, Piacenza dhe Gioia del Colle. Katër Mirage 2000 francezë morën pjesë në sulm. Për herë të parë, dy avionë fluturues stealth B-2 u angazhuan nga baza e tyre në Misuri, SHBA. Tetë vende janë përfshirë në operacionin, i cili u shfaq masiv: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Spanja, raportonte gazeta franceze atë ditë.

Avionët sulmuan Jugosllavinë nga hapësira ajrore kroate, hungareze dhe shqiptare. Mbrojtja jugosllave pretendon se ka rrëzuar një aeroplan në veri të Kosovës, informacion i mohuar nga ushtria e NATO-s. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, William Cohen, tha se betejat ajrore kishin vënë përballë avionët aleatë kundër luftëtarëve serbë. Sipas ministrit gjerman të mbrojtjes, Rudolf Scharping, avionët serbë u “qëlluan dukshëm”. Rreth orës 22:00, avionët aleatë (F-16, F-15, Mirage 2000D, Tornado, Harrier, F-18, EA-6B, A-10, C-130, F-117) ishin kthyer në bazat e tyre, vijonte raportimi, përcjell Gazeta Express.

Që nga ora 21:00, shtabi i përgjithshëm serb njoftoi se “agresioni” i vazhdueshëm kishte synuar “më shumë se njëzet objektiva” në shtatë lokalitete në Kosovë dhe në Serbi: Prishtinë, Kurshumli, Uzhicë, Danilovgrad, Novi Sad, Pançevë dhe Podgoricë.

Në orën 20:10, sirenat paralajmëruese u dëgjuan në Beograd menjëherë pas dy shkëlqimeve portokalli të shndritshme në qiell. Tetë shpërthime u raportuan në kryeqytet, veçanërisht në jug, ku ndodhet stacioni i radarit në Rakovica. Në Novi Sad, qyteti kryesor verior, u raportuan pesë shpërthime të mëdha. Shpërthime të tjera u dëgjuan pranë bazës së madhe ushtarake të Batajnicës dhe pranë aeroportit kryesor të Malit të Zi. Në të njëjtën kohë, tri shpërthime të forta janë dëgjuar në afërsi të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës. Një orë më vonë, pesë të shtëna të reja, secila me një distancë nga një minutë, goditën rrethinën e qytetit. Në orën 21:30 është raportuar për një shpërthim të madh në kryeqytetin kosovar. Pak para mesnatës, Tomahawks goditi sërish një kazermë, duke shkaktuar një zjarr të madh. 

Sipas presidentit amerikan Bill Clinton, forcat e NATO-s po synojnë “objektivat ushtarake serbe”. Ai gjithashtu fajësoi për situatën Millosheviqin, i cili “në dekadën e fundit ka nisur luftëra të tmerrshme në Kroaci dhe Bosnjë, dhe sërish preferon agresionin në vend të paqes. Ai hodhi poshtë një marrëveshje paqeje të ekuilibruar dhe të drejtë. Zhak Shirak i kërkoi Millosheviqit të kthehej në tryezën e bisedimeve”, ndërsa presidenti i ri i emëruar i Komisionit Europian Romano Prodi bëri thirrje për një “konferencë paqeje” pas aksionit ushtarak. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, e konsideroi ndërhyrjen e NATO-s “legjitime”, por konsideroi se Këshilli i Sigurimit “duhet të përfshihet në çdo përdorim të forcës”.

Sulmet kundër Serbisë ndezën zemërimin e Rusisë. Presidenti Boris Yeltsin e deklaroi veten “thellësisht të indinjuar” nga veprimi ushtarak i NATO-s, i përshkruar si “agresion i hapur”. Ai vendosi t’i rishikojë marrëdhëniet e Moskës me Aleancën Atlantike dhe tërhoqi përfaqësuesin e saj në NATO. Jelcin theksoi gjithashtu se në rast të një zgjatjeje të konfliktit ushtarak, Rusia do të rezervonte të drejtën për të marrë “masa adekuate, përfshirë të natyrës ushtarake, për të garantuar sigurinë e saj dhe të Europës”. Me kërkesë të Moskës, takimi i Këshillit të Sigurimit do të mbahej të mërkurën në mbrëmje. Ministri i Jashtëm kinez Tang Jiaxuan tha se sulmet ishin “të papranueshme” dhe paralajmëroi për “pasoja të rënda” të këtyre operacioneve.

(Kosova Sot Online)