Migrantët që humbën jetën në aksident ishin nga Pakistani

  • A.P /
  • 03 April 2024 - 15:07
Migrantët që humbën jetën në aksident ishin nga Pakistani

Policia shqiptare tha sot se janë nga Pakistani 7 migrantët që humbën jetën në një aksident rrugor në zonë e Përmetit, në Jug të Shqipërisë, një ditë më parë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas policisë migrantët janë të moshave 28 deri në 32 vjeç dhe 3 prej tyre janë identifikuar.

Policia tha se ka identifikuar edhe 3 shtetas që dyshohet se kanë bashkëpunuar me drejtuesin e automjetit, që transportonte migrantët nga kufiri jugor me Greqinë drejt Shkodrës, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.

Sipas policisë dy nga këta shtetas, banues në Shkodër, janë arrestuar, ndërsa personi i dyshuar si organizatori i kësaj veprimtarie kriminale është në kërkim.

Avokati i Popullit tha përmes një deklarate se ka përcjellë me shqetësim të thellë ngjarjen e rëndë të aksidentit tragjik në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, që solli për pasojë 8 viktima.

“Kjo ngjarje duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për forcimin e masave ndaj kontrollit të emigrimin të paligjshëm dhe për të promovuar rrugë legale dhe të sigurta për emigracionin”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit. 

(Kosova Sot Online)