Zbardhen detaje se si Serbia po fabrikon narrativa se serbët janë të kërcënuar në Kosovë

  • A.P /
  • 15 April 2024 - 15:58
Zbardhen detaje se si Serbia po fabrikon narrativa se serbët janë të kërcënuar në Kosovë

Serbia po fabrikon narrativa se serbët janë të kërcënuar në Kosovë. Rreziku për një konflikt përmendet në një studim të Institutit për Studimin e Luftës Hibride, OCTOPUS. Kërkimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për dominim, thuhet se kërcënon ta destabilizojë rajonin. Rekomandohet që Kosova të mbështetet në rritjen e kapaciteteve të saj për ta penguar luftën hibride, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Thuhet se përgjigja e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht ajo e Perëndimit, do të jetë vendimtare në formësimin e trajektores së ardhshme të rajon.

Serbia po vepron sistematikisht dhe qëllimisht në “fabrikimin e narrativave të një pakice të kërcënuar serbe në Kosovë”, thuhet në një studim të Institutit për Studimin e Luftës Hibride, OCTOPUS.

Studimi i titulluar “Politika e frikës: Fabrikimi i rrezikimit të pakicës serbe në Kosovë si një strategji ekspansioniste e Serbisë” vë në pah “ambiciet ekspansioniste të Serbisë nën maskën e mbrojtjes së serbëve jashtë vendit”.

“Ringjallja e këtij nacionalizmi ekspansionist mund të gjurmohet në formulimin e ‘Nacertanije’ nga Ilija Garašanin në shekullin e 19-të. Ky dokument hodhi themelet e një ideologjie të Serbisë së Madhe, duke theksuar bashkimin e të gjitha territoreve serbe, një temë që është rishfaqur vazhdimisht në veprimin politik serb. Në mënyrë të ngjashme, manifesti i ‘Serbisë homogjene’ i hartuar nga Stevan Moljević më 30 qershor 1941, dhe Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) i vitit 1986 kanë luajtur një rol kritik në ringjalljen dhe mbështetjen e ndjenjave nacionaliste. Këto dokumente avokojnë kolektivisht për konsolidimin e territoreve serbe dhe mbrojtjen e popullsisë serbe jashtë kufijve zyrtarë të Serbisë, duke nënvizuar një vizion të vazhdueshëm të homogjenitetit kombëtar dhe ekspansionizmit (Beljo, 1999)”, thuhet në këtë studim.

“Kjo rrymë e fshehur nacionaliste nuk është një relike e së kaluarës, por një ideologji e gjallë që ndikon ndjeshëm në politikën e sotme serbe, duke formësuar ndërveprimet e saj me vendet fqinje dhe trajtimin e saj ndaj popullatave pakicë. Udhëheqja autokratike e Aleksandar Vuçiq ka forcuar më tej ambiciet nacionaliste të Serbisë. Vuçiq, duke përdorur modelin e tij autoritar të qeverisjes, e ka pozicionuar veten si një figurë kyçe në ndjekjen e ëndrrës së një ‘bote serbe’. Stili i tij drejtues, i karakterizuar nga kontrolli i rreptë mbi median dhe përçarja politike, pasqyron ambicien e tij për t’i arritur qëllimet politike që rrjedhin nga dokumentet e lartpërmendura për hegjemoninë serbe (Meadow, 2022). Kjo ambicie është në përputhje me aspiratat historike hegjemoniste serbe, por ndiqet me strategjitë dhe taktikat moderne politike”, thuhet në studim.

Qasja e Vuçiqit është tipike e një tendence të vendosur në politikën serbe, thuhet në studimin ku përmendet se “synimet historike janë të ndërthurura me ambiciet personale, duke formësuar politikat e brendshme dhe të jashtme të vendit”.

“Vizioni i tij për Serbinë shtrihet përtej pretendimeve të thjeshta territoriale, duke aspiruar drejt një hegjemonie kulturore dhe politike në Ballkanin Perëndimor që rezonon me narrativat nacionaliste të së kaluarës. Roli i dinamikës së fuqisë ndërkombëtare, veçanërisht mbështetja ruse, është thelbësore në ndjekjen e ambicieve nacionaliste të Serbisë. Rusia, e cila ndan një trashëgimi të krishterë ortodokse dhe vëllazëri sllave me Serbinë, ka qenë një aleat i vendosur, duke ofruar mbështetje diplomatike, ekonomike dhe ushtarake historikisht. Kjo aleancë është strategjikisht e dobishme për Rusinë, duke ofruar një bazë, një fushë për rritjen e ndikimit të saj në Ballkanin Perëndimor dhe një mjet për të ushtruar ndikim në Europë. Për Serbinë, mbështetja ruse forcon pozicionin e saj kundër presionit dhe sanksioneve perëndimore, duke i mundësuar asaj të ndjekë objektivat e saj në mënyrë më agresive. Kjo marrëdhënie simbiotike nënvizon lojën gjeopolitike të shahut në rajon, ku aspiratat e Serbisë janë të ndërthurura me ambiciet globale të Rusisë për ta sfiduar hegjemoninë perëndimore dhe për ta zgjeruar ndikimin e saj”, thuhet në studim.

Në studim theksohet se aspiratat hegjemoniste të Serbisë në Ballkan nxiten “nga një kombinim i narrativave historike, ideologjisë nacionaliste dhe ambicieve të lidershipit”, dhe se këto “paraqesin rreziqe të konsiderueshme”.

“Kërkimi për dominim, që të kujton konfliktet e kaluara, kërcënon ta destabilizojë rajonin, duke provokuar tensione dhe konflikte potencialisht katastrofike. Veprimet e Serbisë, të nxitura nga synimi për hegjemoninë territoriale dhe politike, sfidojnë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, duke i bërë jehonë precedentëve të rrezikshëm të krijuar në vitet ’90. Potenciali për dhunë dhe destabilizim të paprecedentë është një kujtesë e fortë e fuqisë shkatërruese të nacionalizmit të pakontrolluar dhe ambicieve hegjemoniste”, thuhet tutje.

Aty përmendet se përgjigja perëndimore ndaj veprimeve të Serbisë karakterizohet nga “një hezitim i çuditshëm për të vendosur masa ndëshkuese kundër regjimit të Vuçiqit”. Kjo, shtohet se “pasqyron një dilemë në politikën ndërkombëtare”.

“Politika e zbutjes, që synon ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfrontimeve, ka rezultuar të jetë kundërproduktive. Kjo qasje inkurajon nacionalizmin serb dhe ambiciet e tij territoriale, duke minuar përpjekjet për ta promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Mungesa e veprimit vendimtar kundër Serbisë jo vetëm që lehtëson vazhdimin e politikave të saj agresive, por gjithashtu sinjalizon një precedent të rrezikshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, ku pozicionet agresive dhe ambiciet ekspansioniste përballen me rezistencë të kufizuar”.

Studimi thotë se ambiciet aktuale të Serbisë paraqesin një sfidë të rëndësishme, ndërsa përmend rrezikun për konflikt. Për këtë, aty thuhet se përgjigjja e Perëndimit “do të jetë vendimtare”.

“Ambiciet aktuale të Serbisë në Ballkanin Perëndimor, të mbështetura nga një ndërveprim kompleks i nacionalizmit, lidershipit dhe dinamikës ndërkombëtare, paraqesin një sfidë të rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe normat ndërkombëtare. Planet për një ‘botë serbe’, të ushqyer nga mitet historike mesjetare dhe ambiciet politike moderne, janë të mbushura me rreziqe konflikti dhe destabiliteti. Përgjigja e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht ajo e Perëndimit, do të jetë vendimtare në formësimin e trajektores së ardhshme të rajon, duke theksuar nevojën për një qasje më të sigurt dhe parimore për parandalimin e përsëritjes së konflikteve të së kaluarës”, thuhet në studim.

Në konkluzion, ky studim thekson se Serbia po e përgatit terrenin për “taktika hibride të luftës kundër Kosovës”.

“Këto taktika synojnë të destabilizojnë rajonin, duke shfrytëzuar mundësinë e përdorimit të formacioneve paraushtarake apo terroriste, apo edhe duke konsideruar një ndërhyrje konvencionale, nëse rrethanat ndërkombëtare duken të favorshme, siç theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me presidentin e Azerbajxhanit javë më parë. Është kritike të vërehet kontrasti midis narrativës mbizotëruese dhe realitetit në terren. Serbët në Kosovë, larg nga kërcënimi, gëzojnë mbrojtje dhe të drejta që janë në krye të standardeve europiane për komunitetet pakicë. Institucionet demokratike të Kosovës, të përkushtuara ndaj gjithëpërfshirjes dhe mbrojtjes së të gjithë qytetarëve, janë dëshmi e respektimit të lirive civile, si dhe të normave dhe vlerave më të larta demokratike. Ky realitet bie plotësisht në kundërshtim me portretizimin e paraqitur nga narrativat serbe, duke zbuluar një përpjekje manipuluese për t’i justifikuar motivet ekspansioniste”.

Studimi thotë se “Kosova duhet të jetë vigjilente dhe proaktive në zhbërjen e miteve nga propaganda serbe”.

“Kjo përfshin forcimin e kanaleve të shpërndarjes së informacionit për t’i luftuar gënjeshtrat dhe për të siguruar që komuniteti ndërkombëtar të jetë i mirëinformuar për realitetet në terren. Përveç kësaj, Kosova duhet të mbetet e përgatitur për ta kundërshtuar çdo aktivitet armiqësor të Serbisë, veçanërisht në rajonet veriore, përmes masave strategjike të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në dritën e këtyre gjetjeve, rekomandohet fuqimisht që Kosova ta përmirësojë dhe intensifikojë komunikimin strategjik, duke e diversifikuar atë nga institucionet shtetërore dhe partnerët e shoqërisë civile. Komuniteti ndërkombëtar, nga ana e tij, duhet të mbajë një qëndrim më kritik ndaj veprimeve dhe narrativave të Serbisë, duke njohur kërcënimin e mundshëm që ato paraqesin për paqen dhe sigurinë në Ballkan. Për më tepër, aktorët ndërkombëtarë duhet të mbështesin Kosovën në rritjen e kapaciteteve të saj për t’i penguar kërcënimet hibride dhe në ndërtimin e kapaciteteve të përgjithshme mbrojtëse”, thuhet në konkluzionet e këtij studimi.

“Një qasje më proaktive e institucioneve të Kosovës do të kundërshtonte në mënyrë më efektive luftën propaganduese dhe informative të kryer nga Serbia dhe Federata Ruse. Departamentet e informimit brenda ministrive kryesore të shtetit duhet të organizojnë konferenca javore, me përditësime për ngjarjet e fundit, të pajisura me informacionin e nevojshëm për ta çmontuar propagandën kundër Kosovës. Ne rekomandojmë gjithashtu ngritjen e një qendre kombëtare ku të gjitha sulmet e luftës informative të përpunohen në mënyrë të centralizuar në mënyrë që ato të mund të çmontohen për publikun vendas dhe të huaj. Kjo qendër do të ishte domosdoshmërisht e lidhur me të gjitha institucionet përkatëse në shkëmbimin e informacionit. Kjo do t’i lehtësonte edhe më shumë përpjekjet, duke e strukturuar dhe metodizuar punën”, thuhet në fund të konkluzioneve të këtij instituti.

(Kosova Sot Online)