Azemi për shkarkimin e Krasniqit:Kjo është dëshmi e bashkëjetesës së kësaj qeverie me korrupsionin

  • E.K /
  • 24 April 2024 - 15:27
Azemi për shkarkimin e Krasniqit:Kjo është dëshmi e bashkëjetesës së kësaj qeverie me korrupsionin

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka reaguar pasi Bordi i KEK e shkarkoi dje Nagip Krasniqin nga pozita e Kryeshefit Ekezekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Azemi ka thënë se kjo pozitë është mbajtur peng më shumë se një vit nga pushteti, ose për ta pritur kthimin e Krasniqit apo derisa ka përgatitur njeriun e ri nga radhët e veta për ta vendosur në krye të kësaj ndërmarrje.

Postimi i plotë:

Me 19 prill 2023, me urdhër të Prokurorisë Speciale, ishte arrestuar kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për tri vepra penale: nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit.

Tek sot, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut, ka marrë vendim për të liruar nga detyra tashmë ish-kryeshefin ekzekutiv, zotin Krasniqi. Pra, u janë dashur 1 vit e 5 ditë për ta marrë këtë vendim që i hap rrugë nisjes së procedurave për shpalljen publike të konkursit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv.

Për më shumë se një vit kjo pozitë është mbajtur peng, ndonëse nuk dihet a për të pritur kthimin e Krasniqit apo derisa pushteti ka përgatitur njeriun e ri nga radhët e veta për ta vendosur në krye të kësaj ndërmarrjeje dhe për ta vazhduar kapjen. Cilado qoftë arsyeja, kjo është dëshmi e bashkëjetesës së kësaj qeverie me korrupsionin, siç na tha së fundi edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Mos të harrojmë se me dhe pa kryeshef ekzekutiv, KEK ka në nënshkruar 114 kontrata njëburimore që kapin vlerën e mbi 102 milionë eurove. Rrjedhimisht, kjo koorporatë është shndërruar në strofull të korrupsionit për pushtetin. E kjo praktikë sigurisht do të marrë fund, por jo vetëm me Nagip Krasniqin prapa grilave.

(Kosova Sot Online)