Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

  • S.A /
  • 27 April 2024 - 12:51
Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një sërë takimesh në Berlin për të bindur personat kyçë të angazhohen për Kosovën, transmeton "Kosova Sot Online ". Por, a do të ketë sukses?

Vota historike që iu dha Kosovës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) e bën optimist kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se anëtarësimi i Kosovës do të jetë në rend të ditës edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të KiE, në mesin e muajit maj.

“Mbështetja e fortë për Kosovën me 82 për qind duhet të pasqyrohet edhe në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Ne po punojmë për të siguruar që Gjermania të vazhdojë vullnetin e saj pozitiv në Këshill dhe të na mbështesë në mënyrë që Kosova të pranohet si anëtarja e 47-të”, i tha ai DW në Berlin, në margjinat e një aktiviteti festiv, organizuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) nëBundestag, me rastin e  75-vjetorit të krijimit të Këshillit të Evropës.

Albin Kurti mbajti aty një fjalë nderi, ku falënderoi në mënyrë të veçantë deputetët gjermanë për angazhimin e tyre për sigurimin e shumicës në Asamblenë Parlamentare në KiE, shkruan DW.

Politikanë dhe ekspertë janë skeptikë

Por, ndërsa në prag të votimit të 16 prillit, Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në KiE, ishte mase e sigurt se do të arrinte dy të tretat e nevojshme, tre javë përpara ministerialit ai është më i rezervuar me parashikime “Nga këndvështrimi i sotëm, shanset janë 50/50 për qind.

“Hapi domethënës që arritëm me shumicën në Asamblenë Parlamentare sigurisht që ka lënë përshtypje tek qeveritë, ministrat dhe komisionet. Por ka ende shumë për të bërë”, tha politikani socialdemokrat për DW.

Edhe më skeptik është Gerald Knaus, kryetar i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, (ESI) “Ne vëmë re që presidenti i Serbisë po bën një fushatë të suksesshme për të bindur shtetet kyçe në Evropë që të shtyjnë votimin për pranimin e Kosovës për momentin, duket sikur presidenti Vuçiq do ta fitojë këtë betejë”, i tha ai DW.

Qëndrimi i Gjermanisë i paqartë

Jo vetëm Franca, presidenti i të cilës ia bëri të qartë kryeministrit të Kosovës, në një telefonatë para disa ditësh, por edhe Gjermania duket se nuk është ende e bindur për anëtarësimin e Kosovës qysh tani në KiE, siç i thanë bashkëbiseduesit DW-së. ”Çelësi qëndron në Paris dhe Berlin. Gjermania nuk është prononcuar ende qartazi, por lë të kuptohet se është gati të luftojë për anëtarësim, nëse plotësohen disa kushte”, tha Knaus.

Edhe Frank Schwabe konfirmoi se disa vende po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë moment për të zhbllokuar dialogun e ngecur prej kohësh të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Ka qeveri që tani duan të sjellin nga dera e pasme atë që nuk u arrit kurrë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se kjo është gabim”, tha Schwabe.

Martesat e së njëjtës gjini mund të përmirësojë pozicionin

Se a do të mjaftojnë argumentet e përsëritura të Kurtit, për të bindur Parisin e Berlinin të mos e shtyjnë vendimin për Kosovën, kjo nuk dihet ende. Knaus dhe Schwabe janë të mendimit se Kosova mund ta përmirësojë pozitën e saj, nëse arrin që brenda javëve të ardhshme të miratojë së paku ligjin për martesat brenda gjinisë, siç ka premtuar kryeministri Kurti.

Kjo është një e drejtë njerëzore e caktuar me një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, organ ky i Këshillit të Evropës.

Kosova do të ishte vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas Malit të Zi, që do ta bënte një hap të tillë, aspak të vetëkuptueshëm për opinionin publik në vend, duke dëshmuar kësisoj se i merr seriozisht institucionet e Këshillit të Evropës, tha Knaus.

(Kosova Sot Online )