
Në Zveçan kapet sasi e madhe e municionit

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhanë detaje për armatimin e kapur në rrethinë të Zveçanit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Stacioni policor i Zveçanit, nga informacionet e pranuara dhe nga AKI ka kryer një bastisje në rrethinën e Zveçanit në afërsi të Urës së Hekurt. Aty është gjetur armatim, pajisje ushtarake, eksploziv, shok-bomba, të cilat dyshohet se janë lënë atje me qëllim të sulmit ndaj inistitucioneve të sigurisë së Kosovës dhe krijimit të pasigurisë dhe krijimit të një situatë të pazakontë të sigurisë në këtë pjesë”, tha Hoxha në konferencë për media.
Sipas tij, policia ka arritur me sukses ta kryejë operacionin, teksa tregoi sasinë e armatimit të sekuestruar.
“1 mijë e 588 municione apo fishekë, 10 armë të gjata, 6AK 47, mitrolozë, 62 shok-bomba, eksploziv, dylbi, radiolidhje, shurdhues, karikatorë të mbushur e të zbrazët, maska, antiplumb, unifromë e ushtrisë serbe dhe 10 uniforma të Policisë së Kosovës, pajisje për dronë, etj”, tha ai.
(Kosova Sot Online)