
Ja kush mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe draft-statutin e përpiluar nga BE-ja, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Hovenier tha se ShBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar draft-satutin në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “kjo është zgjedhje e qeverisë”.
“Por, të jemi të qartë, ky nuk është dokument jozyrtar, ky nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjesht në mënyrë të rastësishme. Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë i Bashkimit Evropian, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët më të afërt të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës, kryeministres së Italisë dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe Serbinë, erdhën dhe e dorëzuan atë dokument duke thënë: Ne besojmë se ky krijon një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime të kushtetutës suaj, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon një shtresë tjetër të qeverisjes”.
“Pra, ka status mjaft të rëndësishëm. Dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj duke e përdorur këtë draft. Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse. Pra, këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier.
(Kosova Sot Online)