Fabrika Rematex lë pa punë mbi 250 punëtorë

  • 06 February 2016 - 15:47
Fabrika Rematex lë pa punë mbi 250 punëtorë

Mbyllja e fabrikës së tjerrtores në Dragash, për kohë të pacaktuar, i ka lënë pa paga mbi 250 punëtorë, duke rritur kështu numrin e të papunëve në vend.

Sipas punëtorëve, pronari turk ka plane që të largohet nga Kosova, t’i tërheq makineritë dhe të zhvendoset për në shtetet përreth.

Drejtori i fabrikës, Besim Minkara, thotë se po kërkojnë blerës për shitjen e makinave, dhe pranon se fabrika është me borxhe të mëdha ndaj punëtorëve dhe shtetit.

Janari i këtij viti ishte i rëndë për punëtorët e fabrikës Rematex. Ata përmes drejtorit të fabrikës Besim Minkara u njoftuan me vendimin përfundimtarë se nuk do të ju vazhdohen kontratat deri në muajin maj apo qershor të këtij viti.

Arsyet sipas punëtorëve janë vështirësitë financiare dhe problemet me shitjen e mallit në tregjet Evropiane. KosovaPress ka provuar të bisedoj me disa nga ish punonjësit e fabrikës, të cilët prapa kamerave deklaruan se nuk mund të flasin publikisht, ngase po u dalin probleme me menaxhmentin dhe se kanë frikë që përfaqësuesit e fabrikës do të ju hakmerren në të ardhmen nëse fabrika vendos të rihapet.

Sipas tyre, pronari po planifikon që t’i tërheq makineritë dhe të zhvendoset për në shtetet përreth.

Selami Saiti, nënkryetar i Komunës së Dragashit, i tha KosovaPress-it se ka informacione për shqetësimet e punëtorëve. Ai sqaroj se atë çfarë ka mundur të bëjë komuna tashmë e ka kryer dhe punëtorëve do të u paguhen pagat.

“Disa punëtorë kanë ardhur edhe kanë biseduar me mua. Unë ia kam përcjell shqetësimet e punëtorëve kryetarit edhe paralajmërimet e tyre. Siç e dini fabrika Ramatex është e privatizuar. Në bazë të asaj që kamë dëgjuar unë nga kryetari, fabrika Ramateks ka vështirësi në treg me plasimin e mallit. Punëtorët janë lajmëruar për këtë çështje me 29 dhjetor të 2015-ës . Për dy muaj do të u jepen pagat.”, tha Saiti.

Ndërsa i pyetur për borxhet që fabrika ka ndaj komunës, Saiti tha se nuk ka kompetenca që të deklarohet. Ai po ashtu tha se ka informata jo zyrtare se fabrika do të rihapet pas 5 apo 6 muajve.

“Ata kanë thënë se do të hapet. Unë këto nuk i kamë shumë zyrtare. Mirëpo punëtorët të cilët kanë qenë këtu mua më kanë detyruar ta pyes inspektorin e punës edhe në bazë të inspektorit të punës, këto janë vendime të fabrikës. Është nxjerrë një vendim për pushim vjetor, hapjen e fabrikës ata e parashohin brenda 4-5 muajve. Këto janë ato për të cilat unë e dijë. Përndryshe meqenëse ju kërkuat nga unë sot nuk është kryetari këtu dhe pa kompetencë të plotë po jap këtë deklaratë”, tha Saiti.

KosovaPress ka provuar të realizoj një intervistë me drejtorin gjeneral të fabrikës Rematex, Besim Minkara por ky i fundit në asnjë mënyrë nuk ka pranuar të dal para kamerave.

Ai ka pranuar se ka borxhe ndaj punëtorëve dhe borxhe të tjera si ato komunale dhe të energjisë, por tha se në asnjë mënyrë nuk do të largohet nga Kosova pa i përmbyll të gjitha faturat.

“Ne nuk largohemi pa i paguar të gjitha borxhet që i kemi ndaj shtetit të Kosovës, pagat e punëtorëve dhe gjitha borxhet. Ne qysh nga viti 2008 kemi punuar me humbje. Deri tash ne i kemi humbur 10 milion eur o. E kemi mbajtur këtë fabrikë edhe pse nuk ishim aspak të kënaqur me punëtorë”, tha Minkara.

Kjo punë është më shumë për gra dhe ne këtu kemi pasur të punësuar burra me të cilët nuk kemi qenë të kënaqur. Kemi sjell punëtorë nga Serbia por edhe me ata nuk ishim të kënaqur”, tha Minkara. Ai po ashtu tha se nëse do të gjejnë blerës të makinave do ti shesin ato. Kjo është punë biznesi dhe leverdie por në Serbi në asnjë mënyrë ne nuk shpërngulemi. “Nëse vendosim të rihapim fabrikën ne jemi në kontakt që me disa persona në Shqipëri dhe mendojmë ti sjellim 100 punëtorë nga atje”, tha ajo.

Ai ka lavdëruar Qeverinë dhe komunarët për të cilët thotë se ka pasur bashkëpunim të mirë dhe se për të gjitha pengesat që kanë pasur, ata ju kanë dal në ndihmë, njofton KP.

Në gusht të vitit 2008, në objektin e ish-Industrisë së Tekstilit “Dratex”, kompania turke “Rematex” ka filluar prodhimin. Në atë kohë fabrika kishte prodhuar penj deri në 120 tonë , prodhim ky i tëri i kontraktuar për eksport, ndërkaq lënda e parë ishte siguruar nga Spanja dhe Turqia.

(Kosova Sot)