KQZ del me njoftim

  • A.P /
  • 28 December 2024 - 15:27
KQZ del me njoftim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me informacion të rëndësishëm sa i përket votuesve të regjistruar jashtë Kosovës. Të gjithë shtetasit e Kosovës që u regjistruan për të votuar jashtë vendit gjatë periudhës 120 ditore, nga 29 gushti deri më 26 dhjetor do të largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky lajm është bërë i ditur për RTKLive nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se ky është detyrim ligjor për KQZ-së nga paragrafi 9 i nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Është detyrim ligjor për KQZ-në që secilin votues të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, ta largojë nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve. Pra, një shtetas që është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, do ta gjejë emrin e tij për votim vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës. Këtë informacion, ne, ua kemi transmetuar individualisht çdo shtetasi që ka aplikuar dhe është regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, qoftë për të votuar në përfaqësi diplomatike apo përmes postës”, tha Elezi.


(Kosova Sot Online)