Ish-pjesëtari i NjSO-së niset drejt Suboticës për t’u marrë në pyetje

  • A.P /
  • 09 June 2025 - 09:52
Ish-pjesëtari i NjSO-së niset drejt Suboticës për t’u marrë në pyetje

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, i cili u ndalua të dielën nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, është nisur pak çaste më parë drejt Suboticës, ku pritet të merret në pyetje nga prokuroria serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline avokati i tij, Artan Koci, i cili është angazhuar në këtë rast që nga dita e djeshme. Ai ka theksuar se nuk ekziston asnjë procedurë penale ndaj Spahiut dhe është i bindur se gjithçka do të përfundojë në favor të tij.

“Prokurori do ta marrë në pyetje dhe më pas do të vendosë. Jam i bindur se gjithçka do të përfundojë në të mirë të klientit tim, pasi që nuk ka asnjë bazë për ndalimin e tij”, ka deklaruar avokati Koci.

Spahiu u ndalua pa ndonjë njoftim paraprak apo urdhër arresti në fuqi, ndërsa autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me arsyet e ndalimit të tij.

Situata ka ngjallur shqetësim në opinionin publik, veçanërisht për mënyrën se si po trajtohen ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës gjatë kalimit përmes territorit serb.

(Kosova Sot Online)