Dështon edhe përpjekja e 41-të për konstituimin e Kuvendit

  • A.P /
  • 03 July 2025 - 11:29
Dështon edhe përpjekja e 41-të për konstituimin e Kuvendit

Ka dështuar edhe përpjekja e 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, hodhi sërish në votim komisionin për votim të fshehtë, i cili prapë dështoi të themelohet.

Nga 99 deputetë sa ishin prezentë 54 votuan pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

PDK, LDK, AAK dhe Nisma, si dhe Lista Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë që të propozojnë anëtarë për këtë komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Përfaqësues të këtyre partive dolën në foltore, duke i kërkuar kryesuesit që të mos e shkelë Kushtetutën. Megjithatë, atyre iu ndal mikrofoni për shkak se nuk dhanë emra për anëtarë të komisionit.

Dështimi i radhës erdhi pas takimeve që mbajti dje dhe sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me krerët e partive me synimin që të dilet nga kriza institucionale.

Në seancën e cila që prej 15 prillit është ndërprerë çdo të dytën ditë, grupet kryesore parlamentare shkojnë me qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën dhe përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit. Situatën nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të një javë më parë, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

(Kosova Sot Online)