Trump paralajmëron botën

  • A.P /
  • 14 July 2025 - 14:38
Trump paralajmëron botën

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një deklaratë të fortë në rrjetin e tij social, Truth Social në lidhje me tarifat e vendosura ndaj shteteve të ndryshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Duke akuzuar fillimisht vendet mike dhe armike, se kanë përfituar për dekada të tëra në kurriz të Shteteve të Bashkuara, si në fushën e tregtisë ashtu edhe në atë të mbrojtjes, Trump ka shkruar:

“SHBA është grabitur për dekada, si në tregti ashtu edhe në ushtri, nga miq dhe armiq njësoj. Kjo ka kushtuar triliona dollarë.”

Tutje ai ka thënë se vendet e tjera duhet të pranojnë se “periudha e udhëtimit falas” ka përfunduar dhe t’i japin hapësirë Shteteve të Bashkuara të mbrojnë interesat e tyre kombëtare.

“Vendet duhet të ulen dhe të thonë: ‘Faleminderit për udhëtimin falas ndër vite, por e kuptojmë që tani duhet të bëni atë që është e drejtë për Amerikën.’ Ne duhet t’u përgjigjemi duke thënë: ‘Faleminderit që e kuptoni situatën ku ndodhemi. E vlerësojmë shumë!’” ka shkruar Trump.

Ky reagim i presidentit amerikan vjen në një kohë kur ai është përfshirë në retorikë të ashpër ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë, duke i kritikuar shpesh se nuk paguajnë sa duhet për mbrojtjen e përbashkët. Ai gjithashtu ka shfaqur ide për vendosjen e tarifave tregtare më të larta ndaj vendeve që, sipas tij, “shfrytëzojnë” ekonominë amerikane.

(Kosova Sot Online)