
Lexoni edhe:
Shtetet e Bashkuara luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Në politikë, por edhe nga qarqet ushtarake, bëhen testime kur bëhet fjalë për ndonjë ndryshim në dislokim taktik të forcave, siç dëgjuam këtyre ditëve për dislokim të forcave amerikane nga Kosova. Sipas asaj që komentohet nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, duke cituar diplomatë të NATO-s, thuhet se SHBA-të po kërkojnë nga aleanca reduktim të përgjithshëm, përfshirë edhe misionin paqeruajtës në Kosovë.
-Mund të jenë këto testime ushtarake ndaj shteteve siç janë Rusia dhe Serbia, të cilat dëshirojnë destabilizimin e rajonit. Një zyrtar amerikan i mbrojtjes reagoi lidhur me këtë temë se aktualisht nuk ka ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane. Amerika ka investuar shumë në rajon gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë, duke krijuar bazën e saj ushtarake në Bondsteel të Ferizajt. Dhe kjo paraqitje e re për reduktim trupash bëhet në kuadër të planeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike të Amerikës në Evropë dhe në Ballkan, më duket mua. Të investosh shumë dhe të lëshosh terren një armiku siç është Rusia e Putinit në Ballkan, nuk ka asnjë logjikë. Për largime të përkohshme dhe ardhje të reja të forcave të KFOR-it në Kosovë kemi pasur gjatë gjithë pasluftës, si dhe ndryshim komandash. Derisa nuk kemi konkretisht asgjë të re në terren, gjithçka mbetet spekulim.
Përfaqësues të lartë të NATO-s e konfirmuan këtë duke thënë se SHBA-të luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal. Derisa kemi lajme të tilla nga struktura më e lartë e NATO-s, nuk ka vend për shqetësim. Edhe deklarimi i presidentit amerikan Donald Trump në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se nëse rrjedh ndonjë rrezik nga Serbia, më telefono, do të thotë shumë. Sigurisht se një deklarim i tillë është shumë serioz, sepse vjen nga goja e presidentit më të fuqishëm sot në botë. SHBA-ja aktualisht e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje. Dihet për rolin e madh të KFOR-it në mbrojtjen e sigurisë dhe sovranitetit territorial të Kosovës. Dihet se strukturat më të larta të KFOR-it shpesh kanë theksuar se gjithçka duhet të zgjidhet përmes dialogut politik Kosovë–Serbi, kur janë në pyetje bisedimet të cilat po zhvillohen prej shumë kohësh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ajo që muajve të fundit Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacioneve paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë ka karakter të përgjithshëm për misione të tilla paqeruajtëse në botë, jo vetëm kur bëhet fjalë për Kosovën.
Unë mendoj se nuk ka vend për shqetësime se Amerika mund të tërhiqet me trupa nga Evropa dhe Ballkani; reduktime mund të kemi, të cilat ndodhin në kuadër të strategjive të ndryshme ushtarake. Amerika edhe më herët kishte porositur Evropën se duhej të përgatitej për një rishikim dhe reduktim të pranisë ushtarake amerikane, por megjithatë nuk pati tërheqje. Statistikat tregojnë se SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë nga gjithsej 4.767 trupa nga 33 vende të botës, që shërbejnë aktualisht në Kosovë. Nuk duket logjike ndonjë tërheqje pa krijimin e rrethanave të sigurisë në Ballkan. Këtu kemi parasysh zgjatjen e dialogut me Serbinë, që është ndërprerë për disa kohë për shkak të rrethanave të krijuara politike dhe kërcënimet e vazhdueshme që po i bën Serbia rajonit. Sipas ekspertëve të lartë ushtarakë të Amerikës, çdo tërheqje e shpejtë ose reduktim i trupave do të ishte gabim strategjik dhe do të krijonte një periudhë të brishtë tranzicioni, të cilën aktorë destabilizues mund ta testonin… Historikisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se paqëndrueshmëria në Ballkan çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe në vdekjen e 20 milionë njerëzve në gjithë Evropën…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".