
Deputetët dështojnë për herë të 50-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për herë të 50-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pasi propozimi i përsëritur për forimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit s’i mori votat e nevojshme.
Përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk u lejuan të flisnin, si më herët, ndërsa tentuan t’i thonin kryesuesit se ai po keqpërdoret nga partia dhe t’i kërkojnë ta respektojë Kushtuetutën, pasi Dehari i ftoi përfaqësuesit e partive tjera politike për t’i propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë.
Dehari kërkoi që t’u ndërpritet fjala atyre, duke kërkuar “vetëm propozimin”.
Komisioni i propozuar nga LVV-ja për votim të fshehtë i mori vetëm 53 vota.
Situata duket se nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
(Kosova Sot Online)