Putin diskuton me Kim Jong Un në telefon

  • A.P /
  • 13 August 2025 - 11:02
Putin diskuton me Kim Jong Un në telefon

Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, diskutuan samitin e ardhshëm të presidentit rus me Donald Trump në një bisedë telefonike dje, sipas mediave shtetërore ruse Tass, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Presidenti rus gjithashtu ndau me Kim Jong Un informacione në kontekstin e bisedimeve të tij të ardhshme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump”, tha shërbimi për shtyp i Kremlinit, sipas Tass.

Gjatë bisedës, Putini raportohet se e falënderoi sërish Kimin për mbështetjen e e vazhdueshme të Phenianit në luftën në Ukrainë.

“Presidenti rus e vlerësoi lart edhe një herë mbështetjen e dhënë nga Republika Popullore Demokratike e Koresë dhe guximin, heroizmin dhe shpirtin vetësakrifikues të treguar nga personeli i Ushtrisë Popullore të Koresë në çlirimin e Kurskut, një pjesë e territorit rus”, raportoi media shtetërore koreano-veriore KCNA.

Koreja e Veriut e ka mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës duke dërguar trupa dhe furnizuar me armë për t’i forcuar përpjekjet e saj. Një vlerësim i inteligjencës ukrainase i parë nga CNN në korrik tha se pritej që Koreja e Veriut t’i dërgonte deri në 35,000 trupa shtesë për të luftuar me Rusinë, duke trefishuar numrin e dislokuar më parë.

Koreja e Veriut ka zhvilluar lidhje më të ngushta me Rusinë vitet e fundit, duke nënshkruar vitin e kaluar një traktat mbi partneritetin strategjik gjithëpërfshirës, i cili siguroi bazën për dërgimin e trupave të Phenianit në Rusi.

Putin dhe Kim zhvilluan bisedën telefonike për ta shënuar 80-vjetorin e çlirimit të Koresë nga kolonializmi japonez, thanë mediat shtetërore në të dy vendet.

Dy liderët janë pajtuar të kenë “kontakte më të ngushta në të ardhmen”, sipas KCNA.

(Kosova Sot Online)