
Albanese minimizon kritikat e Netanyahut

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se ai i trajton me respekt udhëheqësit e shteteve të tjera, pasi homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, e kritikoi lidhur me vendimin e tij për njohjen e një shteti palestinez, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Nuk i marr personale këto gjëra, angazhohem me njerëz në mënyrë diplomatike. Ai ka thënë gjëra të ngjashme edhe për udhëheqës të tjerë”, tha Albanese më 20 gusht gjatë një konference për media.
Sulmet personale të Netanyahut ndaj Albaneses kanë përkeqësuar edhe më shumë raportet mes dy vendeve. Raportet u përkeqësuan pasi Australia javën e kaluar vendosi që të njohë një shtet palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator.
“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë që është: një politikan i dobët i cili tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, tha Netanyahu përmes një postimi në X një ditë më parë.
Albanese u tha gazetarëve se e kishte informuar Netanyahun për vendimin e Australisë për të mbështetur një shtet palestinez para se Qeveria e tij zyrtarisht të njoftonte për këtë plan.
“Në atë kohë, i dhashë kryeministrit Netanyahu indikacione të qarta se cili do të ishte qëndrimi im dhe qëndrimi i Australisë në të ardhmen, por i dhashë edhe indikacione të qarta për rrugën në të cilën jemi nisur”, tha Albanese.
“Ia dhashë mundësinë të tregonte se çfarë mundësie ka për zgjidhje politike për këtë çështje”, shtoi ai.
Edhe shtete të tjera, sikurse Franca, Britania dhe Kanadaja kanë njoftuar më herët se do të njohin një shtet palestinez.
Më herët gjatë javës, Izraeli ka revokuar vizat për diplomatët australian në Autoritetin Palestinez, pasi Qeveria e Australisë anuloi vizën për një ligjvënës izraelit lidhur me deklaratat e tij që i konsideroi nxitëse dhe kundërthënëse.
Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar lidhur me ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 62.000 palestinezë dhe banorët po përballen me krizë të thellë humanitare.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.
(Kosova Sot Online)