
Ushtarët ukrainas pranë frontit, skeptikë për dorëzimin e territoreve

Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhej në Shtëpinë e Bardhë dhe Donald Trump premtonte “mbrojtje shumë të mirë” për Ukrainën, në terren, pranë vijës së frontit në afërsi të Dobropillias, ushtarët ukrainas kanë dyshime të thella mbi këto zhvillime diplomatike dhe janë të qartë për një gjë: dorëzimi i territoreve ndaj Rusisë nuk është zgjidhje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pjesëtarët e batalionit të 150-të të zbulimit dhe goditjes e marrin lajmin me skepticizëm, shkruan The Guardian. “Nga kush do të na mbrojë?”, thotë me ironi njëri prej tyre, duke reflektuar pasigurinë rreth qëndrimit të SHBA ndaj luftës.
Por në terren, lajmet e ditës duken larg. Lufta, pas më shumë se tre vitesh, ka ritmin e saj. Pak më vonë, një skuadër niset për të lëshuar një dron bombardues. Pajisja montohet në errësirën e një fushe me luledielli, pajiset me eksplozivë dhe lëshohet përmes një katapulte. “Koha më e rrezikshme është pas lëshimit,” thotë një ushtar, i ndërgjegjshëm për rrezikun nga dronët rusë vëzhgues.
Dobropillia nën zjarr, trupat përgatiten për ofensivën ruse
Luftimet nuk japin asnjë shenjë ndalimi të luftës. Fshati Dobropillia, rreth 10 kilometra nga pozicionet ukrainase, është goditur sërish. Të martën në mëngjes, autoritetet raportuan për një person të vrarë dhe disa të plagosur në zonë, ndërsa në Kostiantynivka – 30 milje më në lindje – u vranë tre të tjerë. Vetëm në 24 orët e fundit, rusët kanë ndërmarrë 67 sulme në këtë rajon.
Komandanti i batalionit të 150-të, Denys Bryzhatyi, një 32-vjeçar që dikur studionte për drejtësi, por tani ka kaluar në radhët drejtuese të ushtrisë, thekson se çështja e dorëzimit të rajonit të Donetskut nuk duhet të jetë në tavolinën e negociatave.
“Dorëzimi i Donetskut, një zonë e fortifikuar rëndë, do të çelte rrugën për sulme në drejtim të Kharkivit, Dnipropetrovskit e Zaporizhias – që nuk janë aq të mbrojtura. Do të ishte një humbje e madhe dhe e tmerrshme,” paralajmëron ai.
Luftë teknologjike në terren, por edhe përballje klasike në tokë
Batalioni ukrainas përdor dronë të sofistikuar si “Airplast” për sulme në thellësi, si dhe dronë vëzhgues gjermanë “Vector”. Çdo mision planifikohet me kujdes dhe mbështetet nga teknologjia satelitore si Starlink. Shumë pjesë të armëve dhe bombave prodhohen me printerë 3D në bazat e pasme – një shenjë e qartë e përshtatjes së Ukrainës në një luftë moderne.
Megjithatë, lufta nuk është vetëm teknologji. Puma, një ushtar nga Lugansk që ka mbijetuar nga plagët në 2016, vijon të kryejë misione zbulimi në tokë. Ai dhe kolegët e tij janë të vendosur që çdo pëllëmbë toke të mos dorëzohet lehtësisht.
Një tjetër ushtar, me nofkën Optimus, është më i ashpër: “Ç’kuptim ka të dorëzojmë Donetskun pas gjithë sakrificave? Nëse do e bënim këtë, mund ta kishim bërë që në fillim të luftës.”
(Kosova Sot Online)