
Lista Serbe vendimin e KQZ-së për moscertifikim e cilëson të paligjshëm

Lista Serbe tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e saj për zgjedhjet lokale të tetorit, është “i paligjshëm dhe diskriminues” i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media më 22 gusht tha se megjithëse Zyra për partitë politike rekomandoi certifikimin, KQZ-ja vendosi që ta refuzonte këtë rekomandim.
“Është e qartë se Kurti dhe anëtari i tij në KQZ, para së gjithash mendoj për Alban Krasniqin, bashkëshortin e [ministres në detyrë të Drejtësisë] Albulena Haxhiut, nuk mund t’ia falin Listës Serbe faktin që ajo nuk u zgjodh në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
“Ky reagim i Albin Kurtit është, para së gjithash, për të fituar pikë të lira politike. Ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore që janë të nevojshme, me qëllim që para së gjithash të sigurojmë certifikimin e të gjithë kandidatëve, si për kryetarë komunash, ashtu edhe për asamblistë”, shtoi Ellek.
Sipas Ellekut, sa i përket përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë, në njërën anë është partia e tij, ndërkaq në anën tjetër janë “disa parti kuazi-serbe që i mban Albin Kurti”, duke shtuar se me moscertifimin e Listës Serbe, Kurti “dëshiron ta ndajë trupin politik serb”.
(Kosova Sot Online)