
Vuçiç çon popullin serb në përplasje civile

Nga sot në orën 18:30, në mbi 80 qytete dhe komuna të Serbisë do të zhvillohen tubime të ashtuquajturve “qytetarë që kundërshtojnë bllokadat”, të organizuara dhe të shtyra fuqimisht nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet. Përmes rrjeteve sociale dhe mediave pranë qeverisë, SNS ka bërë thirrje masive për pjesëmarrje, duke tentuar të krijojë përshtypjen e një reagimi spontan qytetar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Mediat proqeveritare si Politika dhe Informer raportojnë për mobilizim në pothuajse 80 qytete dhe komuna, duke e paraqitur këtë si “përgjigje ndaj muajve të protestave dhe bllokadave”.
Ndërkohë, portali 021 vëren se tubimet po ndodhin në të gjitha qeveritë lokale të Vojvodinës, përveç Novi Sadit, dhe thekson se ngjarjet e mëparshme, të mbajtura më 20 gusht, ishin të organizuara nga një OJQ e lidhur ngushtë me pushtetin, Qendra për Stabilitet Social.
Presidenti Aleksandar Vuçiç, në përpjekje për të justifikuar këtë lëvizje, deklaroi se tubimet nuk janë kundër protestave në vetvete, por kundër bllokadave, duke shmangur çdo përgjegjësi mbi situatën e tensionuar politike që ka shkaktuar vetë qeveria.
Edhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, duke folur për tubimet e fundit, raportoi se sipas policisë morën pjesë rreth 33 mijë qytetarë, por shifrat e ofruara nga autoritetet shpesh janë kritikuar si të manipuluara për të rritur imazhin e SNS.
Analistë vendas e shohin këtë mobilizim si një përpjekje të pushtetit për të zbehur ndikimin e protestave të vërteta qytetare, të cilat prej muajsh kanë denoncuar korrupsionin, autoritarizmin dhe abuzimet e qeverisë Vuçiç.
(Kosova Sot Online)