
Osmani: Vuçiqi është ulur në karrigen e Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistë për televizionin polak “TVP” ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mjeshtër i propagandës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai ka thënë se me propagandën e tij Vuçiqi po i bën Perëndimin të besojnë se ai është duke qëndruar mes dy karrigeve, por thotë se në fakt Vuçiqi ka zgjedhur të ulet në karrigen e Rusisë.
“Vuçiqi ka përdorur propagandën si mjet kryesor me dekada. Kur Millosheviqi bënte lufta në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, ai zgjodhi një person ministër të propagandës – Vuçiqin. Nga e gjithë ish-Jugosllavia e zgjodhi Vuçiqin si ministër të propagandës, në kohë lufte. Vuçiqi, njeriu që sot është president i Serbisë. Propagandën e bën më së miri. E ka përdorur në mënyrën për ta bindur Perëndimin se qëndron mes dy karrigeve. Por, ai nuk është në mes, është në karrigen e Rusisë, e tjetra është aktrim bazuar nga përvoja. Ai propagandën po e përdor tash edhe kundër njerëzve të tij”, tha Osmani.
Osmani është pyetur edhe nëse mendon se situata në Serbi, me protestat masive, mund të ndikojë në Kosovë.
“Vuçiqi kur është në telashe në vendin e tij, tenton të shkaktojë probleme në Bosnjë, Kosovë e pjesë tjera. E përdor më pas kartën nacionaliste…Ai do të mundohet ta largojë vëmendjen, por ne jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin tonë dhe ta neutralizojmë çdo agresion që mund ta ketë në mendje”, tha Osmani.
(Kosova Sot Online)