
Putin: Kishte 'dakordësi' me Trumpin për përfundimin e luftës

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka pasur “dakordësi” me presidentin amerikan, Donald Trump, për përfundimin e luftës në Ukrainë, gjatë takimit të tyre në Alaskë, muajin e kaluar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Megjithatë, ai nuk tha nëse do t’i pranonte bisedimet e paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të ndërmjetësuara nga Trump.
Duke folur gjatë një samiti në Kinë, Putin vazhdoi të mbronte vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe fajësoi edhe një herë Perëndimin për luftën.
Pas takimit në Alaskë, muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, tha se Putin ka rënë dakord për garancitë e sigurisë për Ukrainën – si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për paqe në të ardhmen – megjithëse Moska nuk e ka konfirmuar ende këtë.
Putin foli në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku u takua me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, dhe atë të Indisë, Narendra Modi.
Ai i falënderoi ata për mbështetjen e tyre dhe për, siç tha, përpjekjet “për të lehtësuar zgjidhjen e krizës në Ukrainë”.
Kina dhe Rusia janë blerëset më të mëdha të naftës së papërpunuar ruse, ndaj edhe kritikohen nga Perëndimi për mbështetje të ekonomisë ruse.
Në fjalimin e tij, Putin tha gjithashtu se shpreson se “dakordësitë e arritura” në takimin e tij me Trumpin në Alaskë, janë “duke ecur në këtë drejtim, duke hapur rrugë për paqe në Ukrainë”.
Në të njëjtën kohë, ai përsëriti qëndrimin e tij se “kjo krizë nuk është shkaktuar nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por ishte rezultat i një grushtshteti në Ukrainë, i cili u mbështet dhe u provokua nga Perëndimi”.
Ai, po ashtu, ua atribuoi luftën “përpjekjeve të vazhdueshme të Perëndimit për ta tërhequr Ukrainën në NATO”.
Putin e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Të premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Trump i ka dhënë atij afat deri të hënën për të pranuar bisedimet e paqes me Zelenskyn.
“Nëse nuk pranon, kjo tregon se Putin e ka manipuluar sërish Trumpin”, tha Macron.
Megjithatë, më 22 gusht, Trump i tha CNN-it se po i jepte Putinit “disa javë” kohë për t’u përgjigjur.
Pas takimit me Putinin muajin e kaluar, Trump kërkoi një marrëveshje të përhershme paqeje.
Ai takoi edhe presidentin ukrainas, Zelensky, dhe udhëheqës të lartë evropianë, dhe theksoi se pjesë e marrëveshjes nuk do të ishte antarësimi i Ukrainës në NATO.
Ai sugjeroi se do të kishte garanci sigurie për Ukrainën dhe se SHBA-ja do të ishte e përfshirë në to.
(Kosova Sot Online)