Putin: Nuk do e sulmojmë BE-në

  • A.P /
  • 02 September 2025 - 14:11
Putin: Nuk do e sulmojmë BE-në

Presidenti rus Vladimir Putin u takua këtë të martë, më 2 shtator, me kryeministrin sllovak Robert Fico, ndërsa të dy ndodhen në Pekin për Samitin e organizuar nga lideri kinez Xi Jinping, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gjatë fjalës së tij, Putin tha se Moska kurrë nuk ka qenë kundër anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian, dhe hodhi poshtë pretendimet se Moska po planifikonte të sulmonte Evropën.

Presidenti rus i ka quajtur provokim deklaratat e vendeve evropiane se Rusia ka plane për t’i sulmuar.

“Deklaratat se Rusia ka qëllim të sulmojë Evropën janë absurde dhe tërësisht të pabaza“, u shpreh Putin.

“Sa për ato që quhen ‘plane agresive të Rusisë ndaj Evropës’, dua të theksoj edhe një herë se këto janë budallallëqe të paqena.“, tha ai.

Putin shtoi më tej se këto deklarata janë ose “provokime, ose shprehje e injorancës totale“ nga ana e liderëve evropianë.

Ai argumentoi se me zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, aleanca synonte të përfshinte të gjithë hapësirën post-sovjetike, dhe Rusia thjesht duhet të mbrojë interesat e saj. Ai po ashtu përsëriti se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte i papranueshëm për Rusinë.

Ndërsa, Fico foli për kritikat që po i bëhen nga vende të tjera të BE-së për pjesëmarrjen e tij, si i vetmi lider evropian, në eventin e sotëm që po mbahet në Pekin, Parada e Ditës së Fitores. Por theksoi se dëshiron të tregojë respekt për të gjitha viktimat e Luftës së Dytë Botërore.

Fico theksoi vazhdimisht përkushtimin e Sllovakisë ndaj BE-së, por shprehu keqardhje që nuk kupton disa nga vendimet e saj. Siç shkruan “The Guardian”, Fico kërkoi normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë dhe kritikoi Ukrainën për sulmet ndaj infrastrukturës kritike të gazit që transporton gaz rus për në Sllovaki dhe Hungari.

Ai foli edhe për vendimin e rëndësishëm që pritet për anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe theksoi se ndërsa “çdo vend ka të drejtë për një perspektivë evropiane,” “Ukraina duhet të përmbushë të gjitha kushtet për t’u futur në BE” në mënyrë që “kriteret politike të mos mbizotërojnë mbi ato të përgatitjes” për t’u bashkuar me bllokun.

Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e tij të gjatë se Ukraina nuk duhet të lejohet të anëtarësohet në NATO. Putin e përmendi këtë temë në përgjigjen e tij, duke thënë se Rusia “vlerëson shumë politikën e jashtme të pavarur që ju dhe ekipi juaj, qeveria juaj, po ndiqni.”


(Kosova Sot Online)