
SHBA dëbon ushtarin e ushtrisë së RS-së

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka paraqitur një kërkesë për heqjen e shtetësisë amerikane ndaj serbit Slobodan Letiq, një shtetas i natyralizuar, i lindur në Kroaci, i cili akuzohet se ka kryer krime të rënda lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sipas padisë së ngritur në Distriktin Perëndimor të Virxhinias, Letiq ka fshehur dhe ka paraqitur informacione të rreme gjatë procesit të emigrimit dhe natyralizimit në SHBA. Ai kishte hyrë në vend si refugjat, ndërsa në të vërtetë kishte marrë pjesë aktive në përndjekje dhe akte çnjerëzore ndaj civilëve si oficer në ushtrinë e serbëve të Bosnjës.
Letiq akuzohet se ka nxjerrë dy gra nga një kamp burgimi dhe më pas i ka çuar në një apartament ku i ka rrahur dhe dhunuar seksualisht. Pas lirimit nga kampi, ai gjeti një prej grave sërish në rrugë dhe e detyroi të shkonte në një shtëpi të braktisur, ku e dhunoi sërish. Gjithashtu, Letiq ka hyrë në shtëpitë e civilëve të tjerë në Bosnje dhe i ka nënshtruar ata dhunimeve të rënda fizike, torturave dhe ekzekutimeve të simuluara.
Departamenti i Drejtësisë bën të ditur se Letiq ka fshehur përfshirjen e tij në këto krime gjatë gjithë procesit të emigrimit dhe marrjes së shtetësisë amerikane. Ai ka mohuar të kaluarën e tij kriminale dhe ka fshehur edhe dënimet për korrupsion që kishte marrë në Bosnjë pas luftës, kur punonte si polic.
Letiq është bërë shtetas amerikan më 22 shtator 2006.
Sipas Ligjit për Emigracionin dhe Shtetësinë të SHBA-ve, një shtetas i natyralizuar mund të humbasë shtetësinë nëse ajo është marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes mashtrimit apo fshehjes së fakteve të rëndësishme.
Rastin e ka hetuar Zyra për Çështje të Emigracionit në Departamentin Civil, me ndihmën e FBI-së, hetuesit të sigurisë kombëtare William Tomljanovich, atasheut John Christoforo nga Shërbimi për Emigracionin dhe Doganat, si dhe Qeverisë së Bosnjë dhe Hercegovinës.
Çështjen ligjore e udhëheq avokati Christopher Lyerla, ndërsa mbikëqyret nga Max Weintraub nga Zyra për Çështje të Emigracionit dhe Njësia për Çështje Afirmative.
(Kosova Sot Online)