Babai rrah vajzën dhe e detyron të vishet si djalë

  • A.P /
  • 12 September 2025 - 13:00
Babai rrah vajzën dhe e detyron të vishet si djalë

Një rast i rëndë dhune në familje është raportuar mbrëmjen e së enjtes në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij 16-vjeçare, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, kur i dyshuari F. A. rreth 45-vjeçar, pasi kishte parë disa video-incizime në telefonin e vajzës së tij F.A. rreth 16-vjeçare, ku ajo shfaqej me një bashkëmoshatar, ishte revoltuar dhe në gjendje nervoze e kishte goditur atë me një rrip pantallonash në shpinë, kokë dhe krahun e djathtë. Si pasojë, vajza ka pësuar lëndime të dukshme trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.

Sipas deklarimeve, F.A kishte ushtruar dhunë edhe më herët ndaj vajzës, por ajo nuk e kishte raportuar rastin. Përveç dhunës fizike, ai e kishte detyruar që të shkurtonte flokët si djalë, të vishej si djalë dhe të mos shoqërohej me bashkëmoshatarë apo shokë e shoqe të klasës. Madje, ai e kishte kanosur se do ta privonte nga jeta nëse nuk i zbatonte urdhrat e tij.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

(Kosova Sot Online)