
Sorensen jep detaje pas takimit në Bruksel

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, priti dje në takim kryenegociatorët e dialogut, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Sorensen deklaroi se u bisedua mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe adresimin e çështjes së personave të zhdukur.
“Dje në Bruksel, prita kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për bisedime dypalëshe dhe trepalëshe mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe adresimin e çështjes së Personave të Zhdukur. Fatkeqësisht, seanca inauguruese e Komisionit të Përbashkët nuk u zhvillua. Gati për të vazhduar pasi Palët të jenë dakord” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, dje pas përfundimit të takimit, Bislimi deklaroi se ekziston një mos-harmoni në ekipin serb.
“Këtu kemi parë pak a shumë edhe njëfarë mos harmonie në ekipin serb, ku si duket dikush ka dashur që ne sot ta themelojmë (komisionin) por pjesa tjetër ka bllokuar”, ka thënë Bislimi.
(Kosova Sot Online)