
NATO lanson nismën 'Roja lindore'

Aleanca ushtarake e NATO-s, e udhëhequr nga anëtarët evropianë, njoftoi për forcimin e krahut të saj lindor, pasi hapësira ajrore e Polonisë u shkel nga dronët rusë, ngjarje që rriti tensionet, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Më 12 shtator, NATO tha se ka nisur një “aktivitet” të ri, të quajtur “Roja Lindore”, i cili do të përfshijë dislokimin e pajisjeve shtesë ushtarake nga Britania, Danimarka, Franca dhe Gjermania, me qëllim të parandalimit të një agresioni të mundshëm rus.
“Ky aktivitet shumëdimensional, që do të nisë në ditët e ardhshme dhe do të vazhdojë për një periudhë kohore, është një përgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të hapësirës ajrore, përfshirë edhe dronët e shumtë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë më 10 shtator”, u tha në një deklaratë të NATO-s.
“Çelësi për këtë është një dizajn krejtësisht i ri mbrojtjeje”, tha gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel.
Grynkewich tha se pajisjet e reja do të përfshijnë avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore të mbrojtjes që më parë ishin zotuar se do të dërgoheshin në rajon.
Ai u tha gazetarëve se aleanca ushtarake do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
“Polonia dhe qytetarët nga e gjithë aleanca duhet të ndihen të sigurt nga reagimi ynë i shpejtë më herët këtë javë dhe nga njoftimi ynë i rëndësishëm këtu sot”, tha Grynkewich.
Rutte i quajti veprimet e fundit të Moskës “të pamatura dhe të papranueshme. Ne nuk mund të lejojmë që dronët rusë të hyjnë në hapësirën ajrore të aleatëve”.
Në një ngjarje të ndarë, presidenti francez Emmanuel Macron, tha se “siguria e kontinentit evropian është prioriteti ynë kryesor. Ne nuk do t’i nënshtrohemi frikësimit në rritje të Rusisë”.
Në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ushtruesja e detyrës së ambasadorit të SHBA-së, Dorothy Shea, tha se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve alarmuese të hapësirës ajrore… dhe të jeni të sigurt, ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.
Ajo tha se sulmet e intensifikuara të Rusisë ndaj Ukrainës dhe shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë pas samitit të Alaskës më 15 gusht mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, “tregojnë, me ose pa qëllim, një mungesë të madhe respekti ndaj përpjekjeve në mirëbesim të SHBA-së për t’i dhënë fund këtij konflikti”
(Kosova Sot Online)