Talibanët i ndalin shërbimet e komunikimit dhe internetit

  • A.P /
  • 30 September 2025 - 15:06
Talibanët i ndalin shërbimet e komunikimit dhe internetit

Talibanët i kanë ndalur shërbimet e telekomunikimit dhe internetit në gjithë Afganistanin, duke e shkëputur vendin nga pjesa tjetër e botës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Grupi islamik radikal e bllokoi qasjen në internetin me fibër optike në të gjithë Afganistanin më 29 shtator.

Rrjetet e telefonisë mobile, të cilat funksionojnë në të njëjtin sistem, gjithashtu u fikën pothuajse tërësisht.

Ky vendim ka shkaktuar kaos në Afganistan, duke ndërprerë fluturimet dhe duke i shkëputur njerëzit nga sistemet bankare, tregtia elektronike, si edhe nga punët dhe shkollat online.

Vëzhguesi i internetit NetBlocks tha më 29 shtator se Afganistani është “në mes të një ndërprerjeje totale të internetit”.

Talibanët nuk kanë dhënë arsye zyrtare për vendim.

Por, ndalja e shërbimeve të komunikimit ndodhi disa javë pasi grupi kishte filluar të ndalonte qasjen në internetin me fibër optike në disa provinca.

Grupi tha se ky veprim synon ta parandalojë “imoralitetin”, pasi Talibanët më herët kishin shprehur shqetësim për pornografinë dhe intimitetin online mes burrave dhe grave.


(Kosova Sot Online)