OSBE: Të respektohet vendimi i Kushtetueses

  • A.P /
  • 01 October 2025 - 12:40
OSBE: Të respektohet vendimi i Kushtetueses

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Në një reagim, OSBE-ja ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa ndikuar apo ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në punën e saj, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

OSBE-ja ka theksuar se pavarësia e institucioneve gjyqësore përbën një gurthemel të shoqërisë demokratike.

“Misioni vëren me shqetësim deklaratat e fundit publike dhe iniciativat që, drejtpërdrejt apo tërthorazi, synojnë të sfidojnë ose diskreditojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet për të politizuar punën e Gjykatës dhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, e dëmtojnë besimin e publikut në institucionet e Kosovës, e gërryejnë sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të vendit. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është një domosdoshmëri për demokracinë”, thuhet në reagim.

OSBE-ja theksoi se përfaqësuesit politikë dhe institucionet janë përgjegjës për të respektuar autoritetin e Gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.

“Misioni u bën thirrje të gjithë akterëve politikë që të mbështesin konstituimin e Kuvendit në përputhje me kornizën ligjore dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me Kuvendin dhe me deputetët e tij, pasi ai të jetë konstituuar plotësisht,” përfundon reagimi i OSBE-së.

Të martën, Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar dhe se duhet të zgjidhet një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Deputetëve u është dhënë afat prej 12 ditësh, pas publikimit të aktgjykimit, për ta konstituuar Kuvendin. Ky vendim u mor pas ankesës së paraqitur nga Lista Serbe.

(Kosova Sot Online)