
Netanyahu e shkarkon këshilltarin për Siguri Kombëtare

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën e zëvendësoi me efekt të menjëhershëm këshilltarin e tij për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi, pas raportimeve për mosmarrëveshje rreth politikave gjatë luftës në Gaza, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Si anëtar i vjetër e i lartë i partisë Likud dhe ministër që nga vitet e nëntëdhjeta, Hanegbi thuhet se e kishte kundërshtuar planin e Netanyahut për ta pushtuar qytetin Gaza gjatë verës si dhe sulmin e pasuksesshëm të muajit të kaluar kundër krerëve të Hamasit në Katar, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Gil Reich, i cili ishte zëvendës i Hanegbit, do të bëhet menjëherë drejtor në detyrë i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe këshilltar i Sigurisë Kombëtare. Para se ta merrte këtë post në vitin 2022, Reich kishte shërbyer si zëvendësdrejtor i Komisionit të Energjisë Bërthamore të Izraelit.
Netanyahu lëshoi një deklaratë në të cilën e falënderoi Hanegbin për shërbimin e tij dhe i dëshiroi “shumë sukses në përpjekjet e së ardhmes dhe shëndet të mirë”.
Në anën tjetër, Hanegbi paralajmëroi se lufta e nisur në tetorin e vitit 2023 nuk ka përfunduar ende. Ai e pranoi përgjegjësinë e vet për atë që e quajti “dështim të tmerrshëm të 7 tetorit” dhe tha se ngjarja duhet të hetohet plotësisht për t’u siguruar që të merren mësimet e nevojshme.
Hanegbi gjithashtu bëri thirrje për unitet brenda shoqërisë izraelite, duke e cilësuar këtë tipar si “thelbësor për ta garantuar përjetësinë e Izraelit”.
(Kosova Sot Online)