
Policia në Prishtinë arreston dy persona

Policia e Kosovës ka njfotuar se ka arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar mbi 2 kilogramë kokainë dhe para të gatshme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
“Policia e Kosovës, më saktë Njësia për Reagim të Shpejtë – Prishtinë me datën 21.10.2025 gjatë një pike të rregullt kontrolli në Prishtinë ka ndaluar një automjet me targa të huaja me drejtues të dyshuarin mashkull kosovar dhe pasagjerin mashkull shtetas i huaj. Njësia e lartcekur policore gjatë zbatimit të autorizimeve të saj, pasi ka kërkuar realizimin e një kontrolli rutinor, i dyshuar mashkull shtetas i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, mirëpo si rezultat i reagimit profesional policor i njëjti është ndaluar nga njësia policore. I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2270.6 gramë (2 kilogramë e 270.6 gramë).”
Përveç substancës narkotike pas kontrollit të të dyshuarit në vendngjarje janë gjetur edhe:
• para të gatshme 12550 euro,
• para të gatshme 1000 euro,
• një telefon mobil.
“Lidhur me rastin në vendngjarje ka dalë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë si dhe është njoftuar edhe prokurori kompetent, me urdhër të të cilit është kryer kontroll edhe tek shtëpia e të dyshuarit shtetas kosovar mirëpo nuk është gjetur diçka e dyshuar.”
(Kosova Sot Online)