Kurti: S’do të mund të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm nëse as Konjufca s’gjen partnerë për qeverinë e re
Kryetari i LVV-së thotë se “do të ishte papërgjegjësi e thellë të shkohet në zgjedhje pa buxhet të miratuar”, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Albin Kurti paralajmëroi në një mbledhje të partisë se në rast se as i propozuari i dytë i tyre për kryeministër, Glauk Konjufca nuk arrin të gjejë partnerë për të qeverisur, kjo do ta pamundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve që do të mbaheshin në dhjetor, potencialisht.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit, kur Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati vitin e ardhshëm.
“Nëse kjo sfidë nuk arrihet të tejkalohet brenda afatit kushtetues, vendi duhet të shkojë përsëri në zgjedhje të reja. Por pa buxhet të miratuar, nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet. Kësisoj, vendi do të futej në një situatë të paprecedentë nga e cila askush nuk e di se si mund të dilet”, tha ai.
Ai kërkoi reflektim nga partitë tjera që t’i bashkohen LVV-së në qeverisje, pak pasi i akuzoi se po punojnë kundër shtetit.
(Kosova Sot Online)
