Hill: Millosheviqi thoshte shqiptarët s’bëhen bashkë për asgjë
Christopher Hill foli për shqetësimet që SHBA-ja kishte gjatë negociatave për Marrëveshjen e Rambujesë më 1999, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Diplomati amerikan tha gjatë dëshmisë në Gjykatën Speciale në rastin e ish-krerëve të UÇK-së se koncepti ishte që “t’i jepej mesazhi i qartë serbëve: kjo do të ndodhë, kështu që ju do të ishte mirë të bëheshit pjesë e procesit”.
I dërguari i SHBA-së për Kosovën gjatë asaj kohe tha se Sllobodan Millosheviqi “kishte thënë që shqiptarët nuk do të pajtohen, nuk do të bien dakord asnjëherë për asgjë dhe Marrëveshja rrëzonte pikëpamjen e tij”.
“Ne po i thonim Milloshevqit që ai e kishe gabim. Ja, e arritëm marrëveshjen, por t’i do të bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”.
Për palën shqiptare, diplomati amerikan tha se në Rambuje “ishin të gjithë bashkë” dhe se kjo ishte “arritje e madhe” dhe “pikë shumë e rëndësishme historie”.
“Isha shumë i kënaqur nga fakti që persona që nuk ishin ulur në një tryezë të përbashkët, nuk kishin pasur të njëjtin mendim, të njëjtën qasje më përpara, në atë moment ishin në një mendje, ishin bashkë. Pra, ishin persona që për shkaqe politike ose për shkak të mendimeve që kishin për Rugovën nuk ndanin të njëjtat qasje. Megjithatë në Rambuje ishin të gjithë bashkë. Dhe pas 9 muajsh isha i kënaqur, megjithëse nuk kishim një foshnje, figurativisht, në duar, për ne ishte një arritje e madhe. Por nga ana tjetër, ne kishim edhe një ndjenjë melankolie, sepse Serbia nuk ishte aty dhe ishim në një pikë shumë të rëndësishme historie”
(Kosova Sot Online).
