SHBA e deporton shqiptarin e dënuar
Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Fast Albania dhe në bashkëpunim me disa agjenci ndërkombëtare, ka finalizuar një tjetër operacion të suksesshëm në fushën e bashkëpunimit policor, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Prej muajsh, strukturat shqiptare, së bashku me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane dhe Zyrën e Ekspertëve të Sigurisë, kanë shkëmbyer informacion lidhur me shtetasin shqiptar Kamer Duhanxhiu, 44 vjeç.
Duhanxhiu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 1999 dhe i dënuar nga autoritetet italiane me 30 vite burg për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Vrasja në rrethana cilësuese”, ngjarje të ndodhura në qytetin e Astit në vitin 1999
Pas një periudhe të gjatë arratisjeje në Shtetet e Bashkuara, ai u arrestua këtë vit në Florida, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese shqiptare, italiane dhe Agjencisë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare (ICE) në SHBA. Më 19 nëntor 2025, Duhanxhiu u deportua drejt Shqipërisë me një fluturim çarter.
Sapo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, ai u ndalua nga Policia e Shtetit, bazuar në urdhrin ndërkombëtar të arrestit dhe kartelën e kuqe të Interpolit të lëshuar nga autoritetet italiane. Procedurat e ekstradimit drejt Italisë kanë nisur menjëherë dhe 44-vjeçari pritet të vuajë dënimin e tij 30-vjeçar në shtetin italian.
Policia e Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë ndërkombëtar që çoi në neutralizimin e një personi të shumëkërkuar, duke e konsideruar operacionin një shembull të qartë të efikasitetit në luftën kundër kriminalitetit.
(Kosova Sot Online)
